Për të arritur te prishja me “konsensus” e kontratës me një futbollist të caktuar, shpesh klubet e futbollit zgjedhin rrugën e të bërit të “jetës malore”, kur nuk gjejnë dot gjuhën e përbashkët. Sigurisht, nuk është rruga më e mirë, por në futboll ndodh, ndodh me klubet europiane dhe patjetër me ato shqiptare.
Këtë situatë po vuajnë aktualisht Ergys Kaçe dhe Partizani. Ish-futbollisti i Kombëtares nuk është dakord për prishjen e kontratës dhe klubi ka vendosur ta çojë te skuadra U-21. Veprime që e përjashtojnë konsensusin, të paktën për momentin. Palët kanë qëndrime të kundërta dhe për të mësuar fituesin duhet pritur se kujt do t’i sosë durimi më parë.

Kaçe erdhi te Partizani me shumë bujë, aq më tepër që u bë edhe lojtari më i paguar i Superiores, me 12 mijë euro pagë në muaj. Paraqitja e tij edhe e skuadrës në tërësi ka qenë shumë larg pritshmërive dhe në kushte të tilla është logjike që klubi të përpiqet të ulë kostot, por jo gjithmonë gjen përgjigjen e duhur nga ana tjetër.
Fajtor për ecurinë e dobët të Partizanit është konsideruar edhe Emiljano Musta, që i ka shkëputur marrëdhëniet kontraktuale, kurse Kaçe kërkon t’i qëndrojë besnik asaj që ka firmosur kur ka veshur fanellën e kuqe. Situata të ngjashme Partizani ka kaluar edhe më parë dhe dihet që ato nuk i bëjnë aspak mirë ekipit. Për Kaçen ndërkohë, degdisja tek ekipi U-21, është një imazh i shëmtuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




