Futboll

Bajerni lançon 16-vjeçarin Vaner, Nagelsman e quan një talent të jashtëzakonshëm

Bajerni humbi të shtunën kundër Borusia Mënshengladbah, por për Paul Vaner ishte gjithsesi një mbrëmje speciale. Bavarezët nuk kishin 10 lojtarë, disa të infektuar nga Covid-i, të tjerë të dëmtuar dhe disa të impenjuar në Kupën e Afrikës. Për këtë arsye, Nagelsman grumbulloi disa lojtarë nga të rinjtë për të kompletuar skuadrën.

Në minutën e 75-të trajneri gjerman hodhi në fushë Paul Vaner, i datëlindjes 2005, që në moshën 16 vjeç e 15 ditë është debutuesi më i ri në historinë e Bajernit të Mynihut (para tij ishte Musiala, 17 vjeç e 115 ditë) dhe debutuesi i dytë më i ri në historinë e Bundesligës (para tij Moukoko, që me Dortmundin luajti 16 vjeç e 1 ditë).

Trajneri Nagelsman dhe Vaner. Gazeta Si, 9 janar 2022

I shpejtë dhe i shkathët, Vaner mbulon të gjitha pozicionet në sulm, por preferon qendrën, pra të luajë pas sulmuesit kryesor. Ai ishte në grumbullim me kombëtaren U-17 në Spanjë, por u thirr me shpejtësi nga drejtuesit e Bajernit, të gjendur në vështirësi para ndeshjes së fundit nga mungesat e shumta. Bajerni e ka marrë këtë lojtar nga Ravensburg, kur ishte 12 vjeç.

Në moshën 15-vjeçare nisi të luajë me të rinjtë. Gjysmë gjerman dhe gjysmë austriak, Vaner është një mëngjarash natyral, por është i zoti edhe me të djathtën. Sulmuesi i ri i ka të dyja pasaportat, gjermane dhe austriake.

“Është një talent i jashtëzakonshëm, – ka thënë për të trajneri Nagelsman. – Duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe nëse e bën, do t’i hapen të gjitha dyert. E ardhmja e tij do të vendoset nga mendja e tij, nëse do të llogaritej vetëm kualiteti që ka në këmbë, gjithçka do të ishte e kryer”. Me përulësi dhe durim Vaner mund t’ia dalë të bëhet një yll botëror, ndoshta duke shfrytëzuar mundësitë që do t’i jepen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë