Ekonomi

Në 2020, prodhimi vendas u ul, por fuqia blerëse mbeti e njëjtë

Në vitin 2020, PBB-ja e përgjithshme e Shqipërisë pësoi rënie, por fuqia blerëse (PPS) qëndroi e njëjta me atë të vitit 2019.

Sipas Eurostat, sektori me ndikimin më të madh është bujqësia dhe nënsektorët e saj, me 22% kontribut në PBB për vitin 2020, por me rritje vetëm 0.5% nga 2005-a, kur Eurostat ka nisur llogaritjet.

Me rritjen më të madhe të ndikimit në PBB-në e vendit në 15 vite, rezulton fusha e arritjeve profesionale dhe shkenca me 5.3%, ndjekur nga administrata publike, edukimi dhe kujdesi shëndetësor me 4.3% rritje për 15 vite.

Sektori i tregtisë, gastronomisë dhe akomodimit në vitin 2020 në Shqipëri kontribuonte me 17.8% në PBB, nga 19.4% në vitin 2005. Sektori financiar përbën vetëm 2.3%, me 0.2% rënie nga viti 2005.

Rënien më të madhe në ndikimin e rritjes ekonomike të vendit ka shënuar sektori i ndërtimit, nga 17.5% në 10.5%, si dhe fusha e informimit dhe komunikimit me rënie 1.8%.

Ndërkohë ky sektor, ka pësuar rritjen më të madhe në vendet e tjera europiane, duke kaluar dhe mesataren e vendosur me 100, në 180. Ndërsa, sektori i ndërtimi, ka rezultuar me rënien dhe për vendet e huaja.

Ndër statistikat e tjera të publikuara nga Eurostat, janë ato të investimeve në tregjet financiare, ku familjet shqiptare rezultojnë me 0.

Në vitin 2020, administrata publike, mbrojtja, siguria, edukimi, kujdesi shëndetësor dhe aktivitetet sociale u bënë faktorët kryesorë të ekonomisë në vendet e BE-së. Këto aktivitete përbënin 19.8% të vlerës së shtuar bruto, në total të BE-së.

Nga ana tjetër, aktitvitetet më pak të rëndësishme në ekonominë e BE-së janë listuar, agrikultura, pylltaria dhe peshkimi me vetëm 1.8% dhe aktivitetet shtëpiake me 3%.

Në shifrat e Eurostat edhe ekonomitë më të zhvilluara në Europë, gjatë 2020-s janë dëmtuar ekonomikisht. Gjermania raportohet me PBB-në më të lartë, 2.990 miliardë euro dhe Mali i Zi me nivelin më të ulët, me 9 mld euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë