Trofta është peshk i ujërave të ëmbla dhe jeton në shumicën e lumenjve të Shqipërisë. Ky peshk është një furnizues i proteinave me cilësi të lartë, lehtësisht të tretshme, për të cilat trupi ka nevojë për të ndërtuar qeliza. Peshku përmban acide shumë të pangopura Omega-3 dhe Omega-6, të cilat “me sukses” ulin nivelin e kolesterolit “të keq” në gjak. Trofta gjithashtu përmban vitamina B dhe B3 që është thelbësore për përmirësimin e elasticitetit dhe mbrojtjen e lëkurës.
Mjekët rekomandojnë përdorimin e troftës për njerëzit që vuajnë nga diabeti mellitus, si dhe personat me probleme të zemrës. Trofta është ndoshta i vetmi peshk që lejohet për njerëzit të prirur ndaj reaksioneve alergjike.
Mishi i këtij peshku është një produkt lehtësisht i tretshëm që nuk rëndon stomakun.
Ndërkohë që më parë trofta gatuhej e vetme, me shumë pak përbërës të shtuar, me kalimin e kohës janë shtuar përbërës të rinj dhe tani trofta është pjesë e tavolinave në restorantet më të mira.

Shef Ilir Hysaj ka ndarë me Gazetasi.al një recetë si mund të gatuani troftën me pomodorini, portokall dhe salcë boronice.
Receta:
2 trofta mesatare, të pastruara dhe të filetuara
1 portokall
1 limon ose lime
150 gr Pomodorini të prerë përgjysëm
1 luge gjelle mjaltë
1 luge gjelle boronicë e zezë, e thatë
Pak fara finoku dhe erëza
1 thelpi hudhër e pastruar edhe e grirë imët
70 gr gjalp i freskët
1 lugë vaj ulliri
Pak koriander e freskët i grirë
Pak kripë dhe piper
Përgatitja:
Ngrohim në fillim furrën në 220 gradë.
Në një tas mesatar bashkojmë pomodorinit e prerë përgjysëm me lëngun e 1 portokalli dhe të 1 limoni, pak lëkurë portokalli e grirë, shtojmë 1 lugë mjaltë, kokrrat e farave të finokut të grira, boronicë e zezë e thatë, 1 lugë vaj ulliri dhe pak kripë dhe piper. I përziejmë të gjitha bashkë me një lugë.
Në një tigan të vogël shtojmë sasinë e gjalpit dhe hudhrën e grirë dhe i japim një kaverdisje të lehtë. Ndërkohë, në një tavë mesatare qelqi vendosim filetot e troftës duke i marinuar me pak kripë dhe piper dhe sipër hedhim gjalpin me hudhrat dhe pastaj të gjithë salcën e pregatitur më sipër. Hedhim sipër tavës së peshkut pak koriander të grirë dhe e fusim në furrë për pjekje për 20-25 min.
Pasi është pjekur, e nxjerrim nga furra dhe fillojmë ta shërbejmë në pjatë duke e zbukuruar me salcën e vet dhe koriander të grirë sipër. Kjo pjatë shoqërohet me oriz të gatuar ose sallatë patatesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



