Drejtësia

Shtyhet sërish seanca ndaj Saimir Tahirit, gjyqtari i ri kërkoi kohë të njihet me dosjen

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme të Apelit, do të zhvillohet në 17 janar në orën 11:00, pasi gjyqtari i çështjes Florian Kalaja ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me dosjen.

Kalaja është gjyqtar i ri i caktuar për këtë çështje, pasi pjesa tjetër e trupës e caktuar me short më herët, kanë dhënë dorëheqjen nga kjo çështje.

Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së njoftoi se gjyqtarja Daniela Shirka u tërhoq dhe u zëvendësua pikërisht nga gjyqtari Florjan Kalaja, gjyqtar i komanduar në Gjykatën e Apelit Durrës, i cili ka kaluar Vettingun në fund të vitit 2020.

Jashtë dyerve të gjykatës avokati i tij Maks Haxhia, tha se do të presin shqyrtimin e kërkesës në lidhje me gjyqtaren Shirka, ndërkohë që një mesazh e pati për organet e Vettingut, duke deklaruar se "sot jemi në kushtet kur atyre u zgjatet mandati, sepse duan të shkojnë me pushime, ndërsa fatura mbetet në kurriz të popullit".

Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale, “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”. Dosja ndaj tij dhe ish-zyrtarit të Vlorës, u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit në 25 nëntor.

Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme më 28 shtator me argumentin se gjatë procesit kundër Tahirit ka pasur shkelje procedurale.

Përpos konfliktit të interesit të gjyqtares Albana Boksi, gjykata theksoi se prokuroria u dha fakteve penale cilësim të ndryshëm nga akuza dhe se nuk i dha mundësinë ish-ministrit të mbrohej për akuzën e shpërdorimit të detyrës që u dënua me 5 vite burg i konvertuar në 3.4 vite shërbim prove.

SPAK e akuzoi për trafik droge ish-ministrin e Brendshëm Tahiri, por gjykata e dënoi vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa me prishjen e vendimit nga Gjykata e Lartë, dosja u rikthye edhe njëherë në Apel.

Në vendimin e gjykatës, nuk faktohej përfshirja e ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kreu i të cilës ishte Mojsi Habilaj, i arrestuar dhe gjykuar në Itali, por tashmë në arrati.

Edhe sa i takon dhuratave për ish-ministrin nga grupi kriminal, çmohet fakti se nuk ka prova të mjaftueshme për t'i lidhur ato apo shumat monetare me Tahirin. Në bazë të këtyre fakteve gjykata vendosi dënimin me 3 vite shërbim prove.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë