Drejtësia

Vrau fqinjin me kallashnikov, dënohet me 10 vite burg Mark Kodra

Gjykata e shkallës se parë në Shkodër, ka dënuar me 10 vite burg Mark Kodrën, 47 vjeç, i cili me 29 maj 2021 qëlloi për vdekje bashkëfshatarin e tij Emiliano Ndou, 25 vjeç.

Gjykata vendosi 15 vite burg për të, por duke qenë se ai përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, dënimi u ul në 10 vite burg. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një fushe sportive ‘kalçetoje’ të fshatit Bardhaj.

Fillimisht Ndou dhe Kodra janë përfshirë në një debat verbal dhe në këtë moment 47-vjeçari ka nxjerrë armën e zjarrit kallashnikov dhe ka qëlluar për vdekje të riun.

Edhe pse fqinj me njëri-tjetrin, marrëdhëniet mes tyre kishin shumë kohë që shoqëroheshin vazhdimisht nga probleme.

Në dëshminë e tij, ai është shprehur se e qëlloi për vdekje 25-vjeçarin për xhirimin e gomave të motorit pranë shtëpisë së tij. Një veprim i tillë, Emiljan Ndou e bënte vazhdimisht dhe Kodra ka thënë se e kishte paralajmëruar disa herë.

Mbrëmjen kur ndodhi ngjarja ka qenë djali i autorit ai që u konfliktua fillimisht me viktimën, ndërsa kur ky i fundit shkoi te banesa e 47-vjeçarit, Mark Kodra e qëlloi me kallashnikov duke e lënë të vdekur.

Gruaja e autorit, Bukuroshe Kodra apeloi për ndihmë nga shteti për shkak të frikës nga gjakmarrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë