Futboll

Kod sjellje, gjoba për faullet dhe pak udhëtime: 10 rregullat e Ksavit te Barcelona!

"Disiplinë dhe rregulla”. Kjo është baza e projektit të trajnerit të ri të Barcelonës, Ksavi Hernandez. Ish-mesfushori katalanas e ka bërë të qartë gjatë prezantimit se do t’i imponojë skuadrës një sërë normash, të cilat ai i ka mësuar dhe respektuar si futbollist.

"Gjërat kanë shkuar mirë gjithmonë, kur në skuadër kishte rregull dhe disiplinë", - ka thënë Ksavi. E përditshmja spanjolle “As” ka zbuluar 10 rregullat që Ksavi do t’i imponojë skuadrës për ta ngjitur drejt kreut nga vendi i 9-të që mban aktualisht, 11 pikë prag vendit të parë. Ja dhe 10 rregullat e forta të Ksavit:

Ksavi gjate prezantimit me presidentin Laporta

1 – Orar i ri për stërvitjen. Lojtarët duhet të jenë në qendrën stërvitore brenda orës 9:30, një orë e gjysmë para nisjes së seancës. Kështu ka hapësirë për biseda individuale mes lojtarëve dhe trajnerit.

2 – Ndryshojnë oraret edhe për stafin, me asistentët e Ksavit dhe pjesëtarët e tjerë që duhet të jenë të pranishëm 2 orë para nisjes së seancës, që të jenë gati për mbërritjen e lojtarëve.

3 – Futbollistët duhet të drekojnë vetëm në sallën e ngrënies së klubit, me një dietë të fiksuar sipas parametrave të nutricionistëve të klubit.

4 – Një kod i rreptë sjelljeje, me gjoba të parashikuara edhe për faullet në stërvitje. Këtë ide ai e ka marrë nga Guardiola.

5 – Ka gjoba edhe për vonesat, që rriten në rast të gabimeve të përsëritura. Sanksioni i parë është 100 euro, i dyti 200 euro dhe kështu me radhë.

Ksavi prezantohet si trajner i Barcelones para 10 mije tifozeve

6 – Kontroll edhe në aktivitetin e jashtëm të skuadrës. Lojtarët duhet të kthehen në shtëpi para mesnatës.

7 – Lojtarët e formacionit zgjidhen në bazë të një sistemi meritokracie. Nuk ka titullarë fiksë, askush nuk e ka të sigurt vendin, atë duhet ta fitojë me impenjimin në stërvitje dhe në ndeshje.

8 – Ksavi dhe stafi i tij do të kontrollojnë të gjitha aktivitetet e lojtarëve që ndikojnë në paraqitjen e tyre në fushë. Për shembull, ndalohen udhëtimet e shumta private.

9 – Ndalohen edhe aktivitetet e rrezikshme të futbollistëve. Trajneri i ri kërkon të evitojë me çdo mënyrë dëmtimet, duke i limituar lojtarët me gjoba, nëse e shkelin këtë rregull.

10 – Të gjithë lojtarët duhet të prezantojnë një imazh të mirë për klubin, duhet të respektojnë rregullat, të përshëndesin dhe flasin me tifozët, të inkurajojnë skuadrën të evitojë sjellje të gabuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë