Ekonomi

Grupi i Stabilitetit Financiar: Në ekonomi ka përdorim të tepërt të valutës, kjo përbën rrezik

Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar ka vlerësuar në mbledhjen e fundit se sistemi bankar dhe ai financiar janë në gjendje të shëndetshme, ndërsa ekonomia është treguar rezistente ndaj pandemisë. Grupi tërhoqi vëmendjen se përdorimi i tepërt i valutës në ekonomi, jo rrallë edhe si mjet pagese, mbetet një nga burimet e rëndësishme të rrezikut financiar dhe ndikon në uljen e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare.

 Në prezantimin e Bankës së Shqipërisë me fokus tek vlerësimi i gjendjes financiare të sektorit bankar, u theksua se gjatë 2021 zhvillimet ishin pozitive, duke reflektuar rezistencën e ekonomisë ndaj ndikimit të pandemisë.

Tregjet financiare funksionuan normalisht, ku normat e interesit mbetën në nivele të ulëta dhe treguan luhatshmëri të ulët në lëvizje. Veprimtaria e sektorit bankar u zgjerua në mënyrë të ndjeshme, në kushtet e rritjes së fortë të depozitave të publikut dhe drejtimit të tyre në investime ndërbankare, tituj dhe kredi.

Kreditë me probleme zbritën në rreth 41 miliardë lekë, duke bërë që raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë të bjerë në nivelin 6.2% në muajin nëntor.

Në rënien e këtij treguesi ka ndikuar edhe rritja e mirë e nivelit të kreditimit. Treguesit e rreziqeve të tregut nuk shfaqën ndryshime te rëndësishme gjatë vitit. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet vlerësohet e fortë në kushtet kur gjendja e likuiditetit është mjaft e mirë dhe kur veprimtaria bankare paraqitet fitimprurëse dhe e mirëkapitalizuar.

Të ulet përdorimi i valutës

Përdorimi i tepërt i valutës në ekonomi, jo rrallë edhe si mjet pagese, mbetet një nga burimet e rëndësishme të rrezikut financiar dhe ndikon në uljen e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare. Për këtë arsye, të pranishmit diskutuan rreth nevojës dhe mundësive që masat për uljen e përdorimit të valutave dhe fuqizimin e përdorimit të monedhës kombëtare, aktualisht të përqendruara në sektorin bankar, të shtrihen në mënyrë të kujdesshme edhe në sektorët realë të ekonomisë. Për këtë qëllim, të pranishmit u angazhuan për bashkëpunim ndërinstitucional, i cili mund të mbështetet edhe me ekspertizë nga institucionet financiare ndërkombëtare.

AMF: zhvillime pozitive në tregjet në mbikëqyrje

AMF i njohu të pranishmit me zhvillimet në kuadrin ligjor e rregullativ, si edhe me ecurinë e tregjeve financiare që mbikëqyr ky institucion.

Në prezantim u evidentuan zhvillimet në fondet private vullnetare të pensionit, fondet e investimeve dhe tregun me pakicë të letrave me vlerë. Tek ky i fundit, mbizotërojnë transaksionet mes individëve dhe preferenca për titujt afatshkurtër të borxhit të qeverisë. Për tregun e sigurimeve, përfaqësuesit e AMF-së evidentuan rritjen e primeve të paguara bruto gjatë vitit, po edhe rritjen më të shpejtë të dëmeve të paguara.

Struktura e tregut mbizotërohet nga sigurimi i detyrueshëm motorik, i cili gjeneron edhe pjesën më të madhe të primeve të shkruara bruto. Në tërësi, edhe këto tregje kanë treguar qëndrueshmëri dhe rritje të mirë të aktivitetit, pavarësisht ndikimit të pandemisë. Në vijim, u diskutua për disa çështje që lidhen me bashkëpunimin ndërinstitucional për përmirësimin e funksionimit të këtyre tregjeve.

ASD: Janë rritur depozitat e sigurueshme

Gjatë vitit të kaluar, depozitat e sigurueshme kanë njohur rritje si tek bankat ashtu edhe tek shkk-të. Në total, depozitat e sigurueshme vijojnë të mbizotërohen nga kursimet e individëve dhe shfaqin një epërsi të lehtë të depozitave në valutë.

Numri i depozituesve me llogari në lek, mbizotëron në numrin total të depozituesve. Sipas afatit të maturimit, depozitat e sigurueshme të individëve mbizotërohen nga depozitat me afat, ndërsa depozitat e tregtarëve dhe shoqërive tregtare janë të përqendruara tek llogaritë rrjedhëse.

Qëndrueshmëri ndaj pandemisë

Pas diskutimit të çështjeve të mësipërme, drejtuesit e institucioneve vlerësuan pozitivisht zhvillimet në sistemin financiar, në tregjet financiare dhe në kuadrin rregullativ përkatës, duke konfirmuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Kjo qëndrueshmëri nuk u cënua nga ndikimi i pandemisë. Drejtuesit e institucioneve theksuan rëndësinë e monitorimit të zhvillimeve financiare, pasi situata ekonomike dhe ajo e shëndetit publik ndeshen me sfida të vazhdueshme, përfundon njoftimi zyrtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë