Drejtësia

Mijëra dosje të pabazuara në Gjykatën e Lartë, shteti përfaqësohet me mbi 5 mijë të tilla

Për herë të parë pas shumë vitesh, Gjykata e Lartë e mbyll vitin kalendarik me më shumë çështje të zgjidhura se çështjet e reja të regjistruara, megjithëse stoku i dosjeve që fle prej vitesh në këtë gjykatë mbetet shqetësues me mbi 35 mijë të tilla.

Zv.kryetari i kësaj gjykate, Sokol Sadushi doli në një deklaratë për të komunikuar bilancin vjetor të kësaj trupe.

“Vetëm me 9 gjyqtar kemi formuar 9 trupa gjyqësore me nga 3 gjyqtar. Kjo është situatë e pazakontë për Gjykatën e Lartë dhe sistemin e drejtësisë. Gjatë 2021, çështjet e reja të regjistruara janë 2847, ndërsa numri i 35837 mijë çështjeve që pritet të gjykohen është drejt uljes. Numri i vendimeve të marra gjatë 2021 është më i lartë se çështjet e regjistruara. Janë dhënë 3609 vendime”, tha Sadushi.

Ulja e mëtejshme e stokut të dosjeve mbetet ende prioritet. “Gjykata e Lartë e ka të qartë situatën ku ndodhet dhe ka hartuar një plan veprimi”, u shpreh Sadushi.

Plani i veprimit përfshin identifikimin e rekurseve që janë të pabazuara në ligj, apo që e kanë humbur qëllimin e tyre. Numri i këtyre dosjeve, sipas asaj që tha Sadushi është rreth 7 mijë të tilla. Një problematikë që identifikoi zv.kryetari i Gjykatës së Lartë është numri i madh i çështjeve të humbura nga institucionet shtetërore, që e cilëson të pafalshme.

“Nevojitet ndërgjegjësimi i institucioneve publike dhe avokatëve se moskalimi i rekurseve është përgjegjësi e tyre. Çështje që kanë si objekt dëmshpërblimin për marrëdhënie të punës, apo dëmshpërblime të tjera, janë të papranueshme. Janë 5404 çështje ku humbës në gjyqeq janë organet publike”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë