Drejtësia

Jo vetëm ai i Elbasanit, Kraja: SPAK po heton të tre incineratorët

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja deklaroi se struktura që ai drejton po heton tenderat e dhënë për të tre incineratorët, jo vetëm për atë të Elbasanit, për të cilin është ngritur akuza ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

“Ka hetime për të tre incineratorët dhe çështja është nën hetim dhe ato vazhdojnë”, deklaroi Kraja shkurtimisht para mediave pas pjesëmarrjes në tryezën e analizës vjetore të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pa hyrë shumë në detaje, kreu i SPAK u shpreh se ka një mori hetimesh në lidhje me tenderat e dhënë, ku baza e informacionit në këto hetime është marrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

“Kemi shumë hetime për procedurat e prokurimeve publike. Burimet e informacionit janë të shumta, qoftë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga biznesmenë të ndryshëm, individë dhe rezultatet janë publike”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë