Drejtësia

Harta e re gjyqësore, propozohet përgjysmimi i gjykatave të rretheve. Manja: Rrit cilësinë

Harta e re gjyqësore parashikon të afrojë qytetarët me gjykatën, të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj tyre dhe të përdorë në mënyrë efikase burimet publike.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka prezantuar këtë të martë hartën e re gjyqësore, ku është propozuar një përgjysmim i gjykatave të rretheve dhe përqendrimin të vetëm një Gjykate Apeli në Tiranë.

Sipas KLGJ, kjo hartë e re gjyqësore do të ketë një efekt pozitiv për qytetarët, pasi ata do të marrin shërbimet në një kohë më shkurtër.

Grupi i punës ka propozuar shkrirjen e një sërë gjykatash si dhe uljen e numrit të gjyqtarëve në disa gjykata e në disa propozon rritjen e tyre.

Rezultatet e pritshme të këtyre ndryshimeve në hartën gjyqësore janë: Zvogëlimi i ndjeshëm i delegimeve, që nënkupton një shpërndarje më të mirë të kohës gjyqësore, duke rritur kështu cilësinë dhe sasinë e vendimmarrjes; Shërbime të përmirësuara për qytetarët, duke përqendruar shërbimet në gjykatat më të mëdha; Reduktimi i vonesave në procedurat gjyqësore dhe kohët e gjykimit.

Edhe pse ka shumë kundërshti, harta e re parashikon 12 Gjykata të Shkallës së Parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe vetëm një Gjykatë Apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe atë administrativ, e ndarë në dy dhoma.

Sa i përket gjykatave të shkallës së parë administrative, parashikohet të jenë dy, në Lushnjë dhe në Tiranë nga 6 që ishin gjithsej.

Ndërkohë parashikohet të shkrihen 10 Gjykata të Shkallës së Parë: Tropoja, Puka, Mati, Kruja, Kavaja, Lushnja, Përmeti, Saranda, Pogradeci, Kurbini.

Ndërkohë nga gjashtë Gjykata Apeli të Shkallës së Parë që janë aktualisht, propozohet vetëm një në Tiranë. Po ashtu, parashikohet të shkrihen Gjykata e Apelit në Korçë, Durrës, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër.

Lidhur me këtë propozim nga KLGJ, pritet që të japë mendim dhe qeveria e më pas për miratim do duhet të kalojë për miratim në Kuvend.

Gjatë fjalës së tij, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se kjo hartë përmbush pritshmëritë e qytetarëve. Sipas Manjës, harta e re “garanton çdo qytetar si dhe palët e interesuara, përfshirë dhe avokatët, që ky propozim është balancimi më i mirë i tre objektivave, afërsisë së gjykatës me individin, përdorimit me efektshmëri të burimeve publike si dhe rritjen e cilësisë dhe përtshmërisë së ofruara për qytetarët”.

Manja kujtoi se lëvizjet demografike në Shqipëri kanë treguar se popullsia është përqëndruar pranë qyteteve të mëdha, veçanërisht në Tiranë dhe Ultësirën Perëndimore.

“Mbi 90% e popullsisë në Shqipëri do të ketë akses në Gjykatën e Apelit në Tiranë për më pak se dy orë”.

Ministri tha se pavarësisht se selia e gjykatës mund të zhvendoset, KLGJ duhet të kujdeset që në godinat ekzistuese të gjykatave, të ruajnë një sportel për të gjithë qytetarët, ku mund të paraqesin kërkesë-paditë apo kërkesat e ndryshme që lidhen me gjykimin e çështjeve si dhe të marrin shërbime të tjera nga administrata e gjykatës.

Harta e re gjyqësore e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor:

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër (bashkuar me Gjykatën e Matit)

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës(bashkuar me gjykatat e Kavajës dhe Krujës)

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier (bashkuar me Gjykatën e Lushnjës)

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër (bashkuar me gjykatat e Sarandës dhe Përmetit)

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës (bashkuar me Gjykatën e Tropojës)

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë (bashkuar me Gjykatën e Pogradecit)

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë (bashkuar me Gjykatën e Kurbinit)

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër (bashkuar me Gjykatën e Pukës).

Ndërkohë për sa i përket gjykatave administrative, KLGJ propozon që të ketë vetëm 2: Gjykata Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykata Administrative të Shkallës së Parë Lushnje. Ndërkohë do të ketë dhe një gjykatë Administrative Apeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë