Është fundviti, kohë bilancesh dhe klasifikimesh. Skuadra më e mirë, sulmuesi më i mirë, mesfushori më i mirë dhe kështu me radhë. Mes klasifikimeve të ndryshme është edhe ai i prestigjiozes angleze “FourFourTwo”, që gjithmonë ngre diskutime.
Edhe për vitin 2021 po ndodh kështu me klasifikimin e trajnerëve më të mirë në botë. Kush kryeson? Pavarësisht humbjes në finalen e Ligës së Kampionëve, Pep Guardiola i Mançester Sitit qëndron para Tomas Tuhel, gjermanit të Çelsit, ndërsa vendin e tretë e mban Jurgen Klop i Liverpulit. Një pod i gjithi nga Premier Liga. Më pas vjen italiani Antonio Konte, sigurisht për atë që bëri me Interin, ndërsa sot drejton edhe ai në Angli, Totenhemin.
Në 10-shen e parë janë Hans Flik, aktualisht trajner i Gjermanisë dhe shumë i suksesshëm me Bajernin. Pastaj vjen Roberto Mançini, arkitekt i triumfit të Italisë në Europian. Ndjekin me radhë Diego Pablo Simeone i Atletiko Madrid, Julian Negelsman i Bajernit, Gereth Southgejt i Anglisë dhe Mauricio Poketino i PSG-së.
Në këtë listë bëjnë pjesë edhe disa trajnerë të tjerë italianë, si Gasperini i Atalantës, Pioli i Milanit, Ançeloti i Realit, Simone Inzagi i Interit, Sarri i Lacios, Alegri i Juventusit, Spaleti i Napolit, apo edhe De Zerbi i Shakhtarit. Mungesa e madhe në 50-shen më të mirë, sipas revistës britanike, është ajo e Zhoze Mourinjos, portugezit të famshëm që tani drejton Romën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.