Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet për ish-kreun e Prokurorisë së Kukësit, Edmond Kariqi, i akuzuar për “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, si dhe për tre të pandehurit e tjerë të akuzuar për “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë.
Në përfundim të hetimeve paraprak, janë mbledhur prova, me të cilat provohet se, i pandehuri Dritan Dedja me ndërmjetësimin dhe ndihmën e të pandehurve, Emirjan Beu dhe Isuf Gega, i ka dhënë të pandehurit Edmond Kariqi, përfitime monetare të padrejta, me qëllim për të favorizuar shtetasin Ramadan Dedja dhe persona të tjerë nën hetim, në një çështje penale të regjistruar në ngarkim të tyre pranë këaj prokurorie.
Gjithçka nisi në nëntor të vitit 2019, kur në qytetin e Kukësit u arrestuan Dritan Dedja, Eraldo Braka, Elidon Koka dhe Ergis Xherri, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike, të cilët u lanë të lirë nga prokurori Kariqi pas marrjes së ryshfetit. Të arrestuarit kishin futur ndërmjetës Isuf Gegën dhe Emirjan Beun, tek prokurori Kariqi për pushimin e çështjes.
Eraldo Braka dhe Dritan Dedja janë lidhur dhe kanë komunikuar me Isuf Gegën, tek i cili janë interesuar nëse kishte komunikim me prokurorin për t’i ndihmuar në lidhje me dosjen.
Gega, me detyrë sekretar në Prokurorinë e Kavajës, ka udhëtuar bashkë me Kariqin në drejtim të Kukësit, ndërsa janë dokumentuar disa takime të tjera mes tyre. Në përgjimet e SPAK, Gega del të jetë sekser, nga ku prokurori ka marrë edhe shumën e eurove.
SPAK ka dokumentuar edhe lëvizjet e këtyre dy të fundit, të cilët janë parë duke tërhequr paratë, për t’i çuar në destinacion. Pasi ka siguruar të dhëna të mjaftueshme, SPAK ka urdhëruar arrestimin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




