Barcelona ka marrë pushimet deri më 28 dhjetor, por drejtuesit e saj jo. Sipas “Mundo Deportivo”, katalanasit janë duke mbyllur transferimin e Ferran Torres, sulmuesit 21-vjeçar të Mançester Sitit. Akordi mes klubeve është arritur dhe tani pritet vetëm njoftimi zyrtar për këtë operacion, që i ka kushtuar Barcelonës 55 milionë euro.
Ferran Torres është vënë në dijeni të bisedimeve mes Barcelonës dhe Mançester Sitit dhe e pëlqen idenë për të luajtur sërish në La Liga. Eksperienca e tij deri tani në Premier ligë ka qenë e kënaqshme, por jo entuzizmuese. Guardiola e ka në konsideratë, por nuk bën pjesë te të palëvizshmit e tij.

Në anën tjetër, Ksavi do që t’i besojë “çelësat” e skuadrës dhe po këmbëngul që kjo blerje të finalizohet sa më shpejt. Trajneri i Barcelonës do që ta ketë të gatshëm lojtarin që në fillim të janarit, pasi më 12 luhet Superkupa e Spanjës, gjysmëfinalja ndaj Real Madridit.
Ferran Torres dëshiron të kthehet në Spanjë edhe për arsye personale, përveç atyre profesionale. Një rikthim në vendin e tij do ta ndihmonte edhe për kombëtaren para Botërorit të Katarit. Trajneri Luis Enrike, që kur drejton Spanjën, e ka ndër të preferuarit e tij sulmuesin, por kuptohet që ai duhet të luajë rregullisht.
Në Katalonjë Ferran Torres do të ishte më i qetë, sepse do të bashkohej me të fejuarën, që jeton në Spanjë dhe jo në Angli. E fejuara është vajza e trajnerit Enrike. Dhe në fund është tërheqja e të luajturit në një top klub si Barcelona. Edhe pse në këtë moment nuk është ajo e zakonshmja, Barcelona mbetet Barcelona.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




