Futboll

Video/ Laçi merr superxhiro, katapultohet i 2-ti dhe Josa nuk fshihet për titullin

Ecuri fantastike e Laçit, që pasi mundi me radhë Dinamon, Kukësin, Tiranën dhe Egnatian, nuk mund të gabonte kurrësesi ndaj Kastriotit. Kurbinasit kanë fituar edhe sot, 2-0, duke marrë për momentin e vendin e dytë në tabelën e klasifikimit.

Skuadra e trajnerit Mirel Josa, jo vetëm që po arrin rezultate shumë të mira prej disa javësh, por prodhon edhe një futboll të bukur në fushë. Ndeshjen e sotme e vendosi mesfushori kavajas, Regi Lushkja, autor i të dy golave.

Tashmë laçianët presin rezultatet e rivalëve e në veçanti të Kukësit, që ka të njëjtën kuotë pikësh, 27, dhe nesër luan në Shkodër me Vllazninë. Tirana kryesuese është vetëm 3 pikë larg Laçit dhe nesër përplaset me Partizanin në derbi.

Sido që të shkojë, Laçi tashmë është bërë një ekip i frikshëm dhe trajneri Josa nuk fshihet më për titullin kampion, por beson realisht se skuadra e tij mund ta arrijë atë.

Në ndeshjen tjetër të javës së 15-të të luajtur sot, Dinamo dhe Skënderbeu barazuan 0-0 në “Elbasan Arena”. Të dyja skuadrave iu anulua nga një gol në këtë ndeshje, në fillim korçarëve dhe në pjesën e dytë Dinamos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë