Futboll

Mourinjo nuk e ka në plane, Napoli dhe Torino në garë për Marash Kumbullën

Marash Kumbulla është në vështirësi, aventura e tij te Roma nuk po shkon siç pritej. Trajneri Mourinjo e ka aktivizuar në disa ndeshje kampionati dhe europiane, por ka qenë më shumë një vendim i ndikuar nga mungesat, se sa nga forma e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare.

Situtën e Kumbullës po e ndjekin me kujdes disa klube italiane, që duan të përfitojnë. Disa ditë më parë shtypi italian publikoi një lajm, sipas të cilit lojtari i Romës i është propozuar Napolit, duke parë largimin e Manolasit. Nëse kjo pistë do të rezultonte e vërtetë, atëherë Kumbulla do të ribashkohej me Amir Rrahmanin. Të dy kanë luajtur titullarë te Verona.

Kumbulla me Kombetaren. Gazeta Si, 21 dhjetor 2021

Së fundi është pikërisht trajneri i Veronës, Ivan Juriç, i cili dëshiron të ketë Kumbullën te Torino, skuadra që drejton aktualisht. Juriç është ai që e lançoi Kumbullën në Serinë A dhe ia di mirë vlerat. Ai ka dalë hapur se e do mbrojtësin shqiptar, madje Torino është gati të ofrojë edhe lojtarë në shkëmbim.

Gjasat janë që Kumbulla, duke parë edhe hapësirat e pakta, të largohet nga Roma, por duket e vështirë që kjo të ndodhë që në merkaton e dimrit. Para se futbollisti kuqezi të kalonte te Roma, për të ka pasur interesim edhe nga klubet e mëdha angleze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë