Sipas FIFA-s, 64% e tifozëve duan një Botëror më të shpeshtë. Në fakt, nuk kishte asnjë dyshim për rezultatin e një sondazhi të bërë nga vetë FIFA, që synon ta transformojë Kupën e Botës në një turne çdo dy vjet.
Në anën tjetër, një studim i pavarur i kërkuar nga UEFA, që e kundërshton hapur projektin, thotë se për kombëtaret europiane do të ishte një humbje nga 2.5 në 3 miliardë euro çdo katër vjet. Problemi më urgjent është ai që ka të bëjë me kalendarin, aktualisht në një kolaps, dhe nuk dihet si mund të organizohen ndeshjet e reja. Është shumë e vështirë të ketë një përgjigje që sot, në samitin e FIFA-s me 211 federatat botërore.
Në fakt, nuk duhej të ishte një samit konsultiv (me video), por një kongres i jashtëzakonshëm për të aprovuar me shpejtësi organizimin e Botërorit çdo dy vjet. UEFA dhe Amerika e Jugut janë kundër, të paktën për momentin, Afrika është pro dhe Azia dhe Amerika e Veriut janë shumë të interesuara.

Për kontinentet e vogla, ideja e një Botërori është një sugjestion i fortë. Por me çfarë çmimi? UEFA dhe Amerika e Jugut kanë lënë të kuptohet se e duan Botërorin çdo 4 vjet, ndaj dhe e kanë refuzuar propozimin e këshilltarit të Infantinos, ish-trajnerit Arsen Venger. Frencezi, për të gjetur hapësirë për kualifikueset ka sugjeruar që të luhen vetëm në tetor, ose ndoshta në dy pauza kampionati, duke i mbledhur të gjitha ndeshjet në këto periudha të limituara.
Për momentin situata është me të gjithë kundër (Bashkimi Europian, CIO, UEFA, Amerika e Jugut, ligat, klubet), përveç kontinenteve të tjera, votat e të cilëve në fakt do të thoshin miratim në kongresin e 31 marsit në Doha.
UEFA dhe Amerika e Jugut janë bërë ndërkohë mike të mëdha, kanë krijuar edhe një kupë të re ndërkombëtare për kombëtaret kampione kontinentale, që debuton më 1 qershor me sfidën Itali-Argjentinë. Po ashtu, ka dhe një plan për të zgjeruar Ligën e Kombeve me futjen e Brazilit, Argjentinës dhe skuadrave të tjera amerikano-jugore, duke nisur nga viti 2024. Futbollisti sot, duke marrë në konsideratë edhe Super Ligën, është një kaos total.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




