Futboll

Video/ Napoli rrëmben 3 pikët, Milani ankohet për një gol të anuluar në fund

Goditje e Napolit në sfidën më të rëndësishme të javës së 18-të të Serisë A. Skuadra e Spaletit ka fituar në “San Siro” ndaj Milanit, falë një goli të Elif Elmas, por fundi i ndeshjes ka pasur shumë polemika, për shkak të një goli të anuluar të Milanit me Kesi.

Milani ka marrë një shuplakë të fortë, teksa me këtë humbje është parakaluar nga Napoli, edhe pse të dyja skuadrat kanë nga 39 pikë, ndërsa Interi është shpallur kampion dimri një javë para kohe. Napoli ka marrë një trepikësh shumë të rëndësishëm në një moment të vështirë për të.

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua që në minutën e 5-të nga Elmas, pas një goditjeje këndi. Milani reagoi më pas dhe krijoi disa mundësi, por pa mundur të shënonte me Ibrahimoviç dhe Mesias. Suedezi në fakt ka vuajtur jo pak në këtë ndeshje dhe bashkë me Brahim Diazin ishin ndër më të dobtit në fushë për kuqezinjtë.

Në minutën e fundit të kohës së rregullt Milani barazoi me Kesi, por pasi u konsultua me VAR-in, arbitri e anuloi golin, duke krijuar shumë konfuzion dhe polemika, sepse nuk po kuptohej arsyeja e anulimit. Vendimi erdhi për shkak se Zhiru ishte në pozicion jashtë loje, por te Milani janë ankuar se sulmuesi ishte i shtrirë në tokë dhe nuk ndikoi në aksion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë