Drejtësia

Precedenti me Britaninë, në KE kërkohet që Shqipëria të tërheqë të gjithë të burgosurit në BE

Marrëveshja e nënshkruar me qeverinë britanike për riatdhesimin e të burgosurve shqiptarë që vuajnë dënimin në Britaninë e Madhe po merret si precedent nga disa eurodeputetë të së djathtës në Parlamentin Europian, që i kanë bërë një propozim Komisionit që të shqyrtojë mundësinë që një marrëveshje e ngjashme të nënshkruhet nga Shqipëria me të gjitha vendet anëtare të unionit.

Gazeta Si mëson se propozimi është ende jozyrtar, por drafti është nxitur nga eurodeputetët e së djathtës ekstreme franceze, që këshillojnë Komisionin nën shembullin e marrëveshjes së transferimit të të burgosurve të nënshkruar nga Shqipëria me Britaninë e Madhe.

“Të burgosurit shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të të huajve të burgosur në Angli dhe Uells, rreth 1500 persona. Në Francë ata janë të pestët me 551 persona, sipas të dhënave të 2017-s. Ministri shqiptar i Drejtësisë tha se marrëveshja me Britaninë e Madhe parashikon ndihmë financiare nga Londra për transferimin e të burgosurve, përmes ndërtimit të një burgu të ri, ose rinovimit të burgjeve ekzistuese”, thuhet në draftpropozimin e eurodeputetëve francezë.

Propozimi jozyrtar nxit Komisionin, që së bashku me 27 vendet anëtare të BE-së të marrin shembull nga marrëveshja e nënshkruar prej Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe përmes investimeve në sistemin shqiptar të burgjeve.

Sipas ministrisë së Brendshme britanike, nga muaj prill deri në korrik të këtij viti janë dëbuar 250 shtetas shqiptarë me precedentë penal. Statistikat britanike thonë se deri në mars të këtij viti, numri i të burgosurve shqiptarë në Britani ishte rreth 1600 vetë.

Ndërkohë, shifra relativisht të larta të burgosurish shqiptarë ka edhe në vendet e BE, kryesisht në Greqi dhe Itali. Në Greqi, numri i tyre në 2019 përllogaritet në rreth 3 mijë vetë. Në Itali, numri i shtetasve shqiptarë në burgje ishte rreth 2500 të burgosur.

Në rastin hipotetik të transferimit të të të gjithë këtyre të burgosurve në Shqipëri, sistemi shqiptar i burgjeve do të shkonte në kolaps, pasi sot kapacitetet e burgjeve shqiptare nuk shkojnë më shumë se 8 mijë persona, ndërsa sipas të dhënave të INSTAT, në 2020 në burgjet e vendit kishte rreth 4600 persona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë