Kosova

Protestojnë gastronomët në Kosovë, kërkojnë zgjatjen e orarit të punës dhe mbajtjen e dasmave

“Vriteni virusin dhe bizneset”, “Na lini të kërcejmë” janë disa nga pankartat që përfaqësuesit e bizneseve po mbanin në duar derisa po protestonin para objektit të Qeverisë së Kosovës për t’i kundërshtuar masat antiCovid-19.

Protestës së gastronomëve u janë bashkuar edhe disa qytetarë të cilët kërkojnë lirimin e dasmave.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit,Hysen Sogojeva, tha se kanë  20 muaj mbyllur dhe ka shtuar se për këtë i janë drejtuar edhe ekzekutivit por nuk janë përgjigjjur.

Hysen Sogojeva, Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit

“Pothuajse janë 20 muaj që me të gjithë bashkëpunëtorët e kemi ngritur zërin për kërkesat si përfaqësues të bizneseve. Për t’i shmangur protestat shumë herë i jemi drejtuar qeverisë por kemi hasur në vesh të shurdhër. Sot jemi këtu për t’i kundërshtuar masat e fundit.

Derisa pushtetarët po mbajnë darka lame e duke mbajtur tubime politike, edhe ne duhet të kemi. Edhe pse jemi në përparësi në procesin e vaksinimit, pothuajse jemi të imunizuar por kjo nuk ka ndikuar fare”,-ka thënë ai.

Ndërsa Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve,Petrit Kllokoqi para protestuesve teksa tha se duan të dëshmojnë që janë të punës e jo të dhunës,shtoi se nuk do të ndalen së protestuari e kjo protestë nuk do të jetë e qetë.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi

Ata kanë bërë të ditur se kërkojnë zgjatjen e orarit deri në orën 1 pas mesnate, mbajtjen e dasmave, të shtyhen afatet e pagesave të kredive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë