Kosova

Pendarovski për Ballkanin e Hapur: S’mund të ketë sukses me 3 shtete

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se Ballkani i Hapur nuk mund të ketë sukses, përderisa në të nuk janë të përfshira të gjitha vendet.

Pendarovski gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se këtë iniciativë e ka parë me dyshime që më 2019.

“T’ju rikujtoj se qëkur nisi si iniciativë më 2019, unë isha politikani i parë që shpreha rezervat. Kësaj iniciative i mungon diçka, në vend se të jenë 6 shtetet, janë vetëm 3. Derisa kjo iniciativë nuk i përfshin të gjitha shtetet nuk do të suksese. Qëndrimi im është se mund të jetë vetëm një nga mjetet për përmirësim tregtar e ekonomik, por jo politik. Mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë. Procesi i Berlinit është iniciativë që ka institucione, ka resurse që Ballkani i Hapur nuk i ka”, ka thënë Pendarovski.

Presidentja, Vjosa Osmani tha se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, por Bashkimi Europian ende nuk e ka përmbushur premtimin.Ajo tha se integrimi europian mbetet prioritet.

“BE-ja ende nuk e ka mbajtur premtimin për liberalizimit dhe në të njëjtën kohë e falënderoj këtë shtet për qasjen ndaj Kosovës në liberalizimin e vizave. Të dyja shtetet e kemi të njëjtin synim drejtë Bashkimit Europian”, ka thënë ajo.

Kur foli për dialogun Kosovë – Serbi, ai tha se duhet zgjidhje reciproke që nuk rrezikon rajonin.

“Maqedonia e Veriut dhe Kosova si fqinje do të bashkëpunojmë me njëra-tjetrën, kurse unë theksova që ta intensifikojmë dialogun edhe më tutje. Bëhet fjalë për dy vende mike, për të fuqizuar edhe më shumë marrëdhëniet mes shteteve”.

“Në lidhje me politikën e jashtme dhe ne i mbështesim dhe jemi në dispozicion që t’i tregojmë përvojën tonë në aspiratën në BE dhe NATO. Jemi të gatshëm që të kemi një rajon me prosperitet ekonomik dhe e mbështesim Kosovën në nisma rajonale. Maqedonia e mbështet zgjidhje reciproke që nuk do të rrezikojë rajonin”, tha ai.

Presidentja Osmani tha se synim i shtetit të Kosovës mbetet anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.

Ajo i ka kërkuar ndihmë Pendarovskit në lidhje me tendencat e Rusisë për ndikim në Ballkanin Perëndimor.

“Ekziston vullneti që ta rrisim bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe të thellojmë marrëdhëniet bilaterale. Dy shtetet kanë të njëjtat arsye për anëtarësim në bashkimin evropian. Procesi i integrimit në Bashkimit Europian mbetet njëri nder prioritet tona dhe do të punojmë së bashku për ta ndihmuar njëra-tjetrën”.

Edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca ka pritur në takim Pendarovskin i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë.

Pas takimit me Osmanin, Pendarovski është pritur edhe nga kryeministri Albin Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë