Futboll

Video/ Aguero mes lotësh: Po e lë futbollin, shëndeti para së gjithash!

Serxhio Aguero lë futbollin për shkak të problemeve shëndetësore, konkretisht për shkak të aritmisë. Sulmuesi argjentinas ka zyrtarizuar sot vendimin e tij në një konferensë shtypi në “Camp Nou”, ku mes të tjerash ka thënë:

“Kjo konferencë është për t’iu informuar se kam vendosur të tërhiqem nga futbolli profesionist. Janë momente shumë të vështira, por edhe jam i lumtur për vendimin që kam marrë. Shëndeti është në vend të parë dhe pas problemeve që kam pasur mjekët më kanë thënë se gjëja më e mirë është që të mos luaj më”.

Argjentinasi 33-vjeçar ka shënuar 385 gola në karrierë me fanella të ndryshme klubesh, që janë Indipendiente, Atletiko Madrid, Mançester Siti dhe Barcelona, si dhe 42 gola me fanellën e kombëtares. Minutat e fundit që Aguero ka luajtur janë ato të ndeshjes së 30 tetorit me Alaveshin. Golin e fundit e ka shënuar më 24 tetor, në “Camp Nou”, kundër Real Madridit.

“Vendimin e mora 10 ditë më parë, – vazhdon më tej Kun. – Bëra gjithçka për të kuptuar, nëse kishte ndonjë shpresë, por jo. Jam krenar për karrierën time. Atletiko vuri bast për mua kur isha 18 vjeç dhe e falënderoj, ashtu si Mançester Sitin dhe Barcelonën. Falënderoj edhe kombëtaren argjentinase, që e dua më shumë se gjithçka tjetër. Po largohem shumë i lumtur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë