Sa më shumë afron merkatoja e janarit, aq më e nxehtë ajo bëhet, me shumë emra që lakohen për të ndërruar ekip në këtë sesion dhe me klube që janë gati të shpenzojnë në limitin e mundësive të tyre financiare. Kërkesat janë të mëdha në fakt, që nga porta e deri te sulmi, që nga portieri i Ajaksit Onana dhe të zakonshmit Mbape dhe Haland.
Interi është prej kohësh në kërkim të një portieri dhe Onana i Ajaksit konsiderohej si pasardhësi i Handanoviçit, por planet janë prishur, sepse vetë “gardiani” preferon Barcelonën, siç ka bërë me dije në një intervistë të fundit.

Katalanasit, edhe pse në një moment të vështirë, duket se i joshin shumë lojtarët. E njëjta situatë si me Onanën është edhe ajo me Kavanin, sulmuesin që pritet të bashkohet me Barcelonën, duke prishur planet e Juventusit.
Klubi bardhezi, përveç Kavanit, ka në krye të listës Mauro Ikardin për të forcuar sulmin, por edhe Skamakën. Milani ndërkohë po vëzhgon përsëri në Francë për të gjetur një mbrojtës qendre, që do të zëvendësonte Kjaerin e dëmtuar. Kuqezinjtë duket se janë fokusuar te Botman i Lilës.

Dy yjet e merkatos, Kilian Mbape dhe Herling Braut Haland, kanë në mendjen e tyre dy klubet e mëdha spanjolle, Realin e Madridit dhe Barcelonën. Së fundi agjenti Mino Raiola ka pasur një takim me drejtuesit e Barcelonës për Haland, i kërkuar edhe nga rivalët e Realit. Për Mbape dihet prej kohësh se synimi i tij është që të veshë fanellën e madrilenëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




