Shkon në 60-70 milionë euro shifra, për momentin e pakonfirmuar zyrtarisht, e evazionit fiskal që vjen nga kompensimi i kontratave të shit-blerjes, apo rinovimit të lojtarëve që menaxhohen nga Fali Ramadani.
Prokuratori shqiptar, mes 5 më të fuqishmëve dhe i njohur ndryshe si “Raiola i Ballkanit”, bashkë me agjentin sportiv Pietro Kiodi, janë përfshirë në një hetim nga Prokuroria e Milanos për parregullsi të mundshme në tregun e futbollistëve.

Hetimi lidhet me deklarimin e të ardhurave, riciklim dhe autoriciklim të tyre. Hetuesit kanë bërë disa sekuestrime deri tani në selitë e 11 klubeve Serisë A dhe B, por këto klube nuk janë pjesë e hetimit. Në këtë grup klubesh bëjnë pjesë Juventusi, Torino, Milani, Interi, Verona, Spali, Fiorentina, Kaljari, Roma, Napoli dhe Frozinone, të cilave u është kërkuar të dorëzojnë disa dokumente.
Për momentin janë marrë nga drejtorë sportivë apo klube dhe drejtues e menaxherë të rrethit të Ramadanit mbi 30 kontrata. Janë kontrata që do të shihen me kujdes për të qartësuar pjesën e kompensimit që ka shkuar për ‘super prokuratorine’. Në këtë hetim bëjnë pjesë e dhe kontratat e Federiko Kiezës, Miralem Pjaniç, Samir Handanoviç, Kalidu Kulibali, Ante Rebiç, Nikola Kaliniç, Karlo Butiç dhe trajnerit Mauricio Sarri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




