Futboll

Barcelona konfirmon tërheqjen e Agueros, të mërkurën konferenca për shtyp

Shkoi te Barcelona që të luante me Lionel Mesin, por nuk pati fat, sepse shoku i tij tek Argjentina u transferua në Francë, te PSG. Më pas karriera e Serxhio Agueros mori një kthesë të fortë dhe tashmë është thuajse zyrtare mbyllja e saj për shkak të problemeve në zemër.

Barcelona ka bërë të ditur me anë të një komunikate për shtyp se të mërkurën e 15 dhjetorit do të ketë një konferencë shtypi, ku do të qartësohet e ardhmja e Agueros. Një konferencë, ku lojtari pritet të konfirmojë tërheqjen nga futbolli, pasi vuan nga aritmia. Në ndeshjen me Aleveshin ai la fushën e lojës, sepse u ndje keq nga ky problem.

Momenti kur Aguero u ndje keq nga aritmia ne zemer. Gazeta Si, 14 dhjetor 2021

“Të mërkurën, në orën 12:00, do të dalë në konferencë shtypi Serxhio Kun Aguero për të shpjeguar të ardhmen e tij. Lojtari do të shoqërohet nga presidenti Joan Laporta”, – shkruhet në komunikatën e shtypit të Barcelonës.

Aguero ka luajtur me Atletikon e Madridit dhe Mançester Sitin para se të transferohej te Barcelona. Në moshën 33-vjeçare ai është i detyruar të “varë këpucët në gozhdë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë