Drejtësia

GJKKO nuk pranon apelin, lë në burg Thoma Gëllçin për tenderët e RTSH-së

Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi, do të vijojë të qëndrojë në burg, pasi akuzohet për një tender të dhënë në kohën që ka qenë në detyrë.

GJKKO nuk e ka ndryshuar masën e arrestit, duke refuzuar apelimin e Gëllçit, ndërsa një ditë më parë, seanca gjyqësore u shty për shkak se SPAK kërkoi për më shumë informacione për tenderë të tjerë të zhvilluar gjatë viteve të fundit në RTSH.

Ai kërkoi masë më të lehtë sigurie, me argumentin se “arresti me burg” është i papërshtatshëm dhe se ai nuk ka asnjë rrezik të prishë provat apo të largohet.

Ishte tenderi me vlerë mbi 86 milionë lekë për blerje të pajisjeve për kanalin “RTSH Agro”, ai që çoi në pranga Gëllçin së bashku me 3 ish-anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Fillimisht shkeljet u kallëzuan nga kompania humbëse dhe më pas u konstatuan edhe nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ndër shkeljet e konstatuara ishte nisja e tenderit 2 vjet përpara se AMA të jepte licencën për hapjen e një kanali të ri dhe një vit përpara se ‘RTSH Agro’ të niste transmetimet.  SPAK e kishte nisur proçedimin penal për këtë tender në datën 28 shkurt 2020.

Ish-kreu i RTSH-së akuzohet se ka kryer me dashje veprime që janë në kundërshtim me ligjin, duke konsumuar elementët veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës”.

Për 3 punonjësit e tjerë rëndon akuza e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë e kryer në bashkëpunim. Pas arrestimit, Gëllçi, ka vijuar betejën në Gjykatën Administrative kundër RTSH-së, duke e quajtur të padrejtë shkarkimin nga detyra. Krahas dëmshpërblimit për largim sipas tij të padrejtë nga detyra, ai kërkon dhe hapjen garës për drejtues.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë