Marash Kumbulla fitoi sfidën me Rei Manajn. Roma e tij mundi 2-0 Specian në ndeshjen e fundit të javës në Serinë A, ku të dy futbollistët e Kombëtares ishin titullarë, por vlerësimet për ta kanë qenë të ndryshme pas 90 minutave.
Rei Manaj ishte lojtari më i mirë për Specian në këtë ndeshje. Ai shënoi edhe një gol, por që iu anulua për pozicion jashtë loje. Shtypi sportiv në Itali e ka vlerësuar me notën 6.5, duke evidentuar lëvizshmërinë dhe sakrifizën e sulmuesit.
“Manaj ishte më i rrezikshmi për Specian. Lëvizi në gjithë fushën, duke sakrifikuar shumë. Iu anulua një gol dhe duhet të jetë më preciz në finalizim”, – shkruan Sportmediaset në vlerësimin për Manajn.

Një situatë tjetër për Kumbullën, i vlerësuar me notën 5.5 për paraqitjen e bërë në ndeshjen e fundit. Mbrojtësi kuqezi luajti 90 minuta, u ndëshkua me karton të verdhë dhe ishte ndër lojtarët më të dobët të Romës, ku shumë dobësi u mbuluan nga fitorja. Kumbulla nuk po arrin ta gjejë veten gjatë këtij sezoni me Mourinjon.
Fundjava që lamë pas ishte pozitive për kuqezinjtë e Italisë sa i takon aktivizimit. Përveç Manajt dhe Kumbullës, titullarë me klubet e tyre ishin edhe Strakosha me Hysajn te Lacio, Ismajli dhe Bajrami tek Empoli dhe Gjimshiti tek Atalanta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




