Futboll

Akuza dhe ironi për skandalin me shortin, të gjithë kundër UEFA-s

Reali Madrid është i pari që nuk pajtohet me UEFA-n për atë që ndodhi sot gjatë hedhjes së shortit të Ligës së Kampionëve. Klubi i madh spanjoll, që e ka fituar më shumë herë trofeun e këtij kompeticioni, ka bërë me dije se do të ndjekë rrugët ligjore kundër UEFA-s për përsëritjen e shortit. Madilenët peshkuan Benfikën në fillim, pastaj PSG-në.

Para se të hidhej shorti për herë të dytë, Reali kërkoi që të mos përfshihej, sepse gabimi u bë pas përcaktimit të çiftit të tij me Benfikën. Më pas gjithçka shkoi keq dhe tani fjalën e kanë avokatët. Por jo vetëm Reali, pas përsëritjes së shortit ka pasur një revoltë totale kundër UEFA-s, që vë në dyshim edhe besueshmërinë e saj.

Ishte një shfaqje shumë e shëmtuar ajo që u pa sot në Nion. Një gafë, që për një institucion si UEFA është e paimagjineushme, ndaj dhe dyshimet dhe akuzat janë në një masë të gjerë.

Gjithçka ndodhi në momentin e goglës së Vilarrealit, që u kualifikua si e dyta e Grupit F, ku i pari doli Mançester Junajtid, kështu që këto dy skuadra nuk mund të ndesheshin bashkë, sipas rregullores. Këtu u bë gabimi, sepse Michael Heselschwerdt, kreu i “Club Competitions” të UEFA-s, futi edhe Mançesterin në vazo, ndërsa Arshavin kapi pikërisht goglën me ekipin anglez.

Përsëritja e shortit u bë e paevitueshme. Atletiko Madrid, që ra me Bajernin, si dhe vetë Mançester Junajtid, që ra me PSG-në, protestuan zyrtarisht te UEFA, që u detyrua të bënte gjithçka nga e para, por rrjetet sociale dhe mediet nuk e falën qeverinë që drejton futbollin europian.

“Për shkak të një problemi teknik, është bërë një gabim në short”, – ishte shpjegimi i UEFA-s, por e gjithë kjo situatë ka ngjallur shumë dyshime dhe ka sjellë akuza ndaj këtij institucioni. Ironia pushtoi rrjetet sociale, ndërsa tani mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë mes UEFA-s dhe Realit, një nga klubet me më shumë pushtet në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë