Ekonomi

Të huajt shpenzuan 1.5 miliardë euro për 9-mujorin, turizmi u afrohet niveleve të parakrizës

Turizmi është rikuperuar ndjeshëm gjatë 9 muajve të këtij viti, duke iu afruar edhe niveleve të parakrizës, për shkak të ecurisë së mirë në tremujorin e tretë të vitit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të huajt që udhëtuan në Shqipëri në 9-mujorin e këtij viti shpenzuan gati 1.5 miliardë euro në vend, duke u dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur vendi vuante nga pasojat e kufizimit të udhëtimeve nga pandemia.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, që deri më tani është cilësuar si viti më i mirë historik i turizmit, shpenzimet e të huajve në vend ishin rreth 10% më të ulëta.

Periudha më e mirë ishte tremujori i tretë i vitit, kur në vend hynë 786 milionë euro, duke u rritur me 0.5% në raport me korrik-shtator të 2019-s.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT për 9-mujorin, në vend hynë 4.7 milionë shtetas të huaj, më shumë se dyfishi në krahasim me vitin pandemik, por 10.7% më pak sesa në janar-shtator 2019.

Rënia e turistëve nga Europa u zëvendësua nga hyrjet më të larta të shtetasve nga Kosova, që u rritën me 18% në krahasim me 9-mujorin 2019. Kosova u bë shpëtimi i turizmit, duke zënë gati 50% të hyrjeve totale, nga 37% në të njëjtën periudhë 2019.

Këtë vit, për shkak të kufizimeve të udhëtimit në shumë vende të Bashkimit Europian, daljet kanë qenë më të pakta.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 9-mujorin, shpenzimet e shqiptarëve jashtë ishin 801 milionë euro, që ndonëse me rritje të ndjeshme në krahasim me vitin pandemik, sërish mbeten 34% më të ulëta së për 9-mujorin 2019.

Daljet e shtetasve shqiptarë ishin 28% më të ulëta në krahasim me 9-mujorin e 2019-s.

Kufizimi i daljes së shtetasve vendas, ndërkohë që të huajt kishin më shumë liri lëvizje bënë që bilanci i të ardhurave të ishte në nivelin më të lartë, të paktën që nga viti 2008, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat për 9-mujorin 2021, vendi përjetoi neto nga turizmi 672 milionë euro, ose 63% më shumë se sa në janar-shtator 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë