Ministrat e Jashtëm të shtatë ekonomive më të zhvilluara në botë, G7, që u takuan këtë fundjavë në Liverpool të Britanisë së Madhe, janë zotuar se do të angazhohen fuqishëm në çështjet që kanë përfshirë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ndër këto çështje bën pjesë edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin G7 tha se dy vendet duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në këtë proces për normalizim të raporteve.
“I kërkuam Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe të bëjnë përparim pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth Truss, njëkohësisht Kryetare e Takimit të Ministrave të Jashtëm të G7-ës.
Ministrat e Jashtëm të G7-ës po ashtu kanë thënë se në takim është nënvizuar edhe rëndësia e mbështetjes për perspektivën europiane, stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Ndërkaq, Elizabeth Truss sot gjatë ditës(13 dhjetor) do të organizojë një takim të nivelit të lartë mes përfaqësuesve të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë në Londër.
Truss tha se Britania e Madhe nuk do ta kthejë kokën anash teksa “siguria e Ballkanit Perëndimor, një rajon vital në pragun e derës sonë, është në pikëpyetje”.
“Për këtë arsye sot do t’i mirëpres në Londër miqtë tanë nga Bosnja e Hercegovina dhe vendet tjera për të promovuar paqen, lirinë dhe prosperitetin për tërë rajonin”, u shpreh Truss.
Truss ka folur edhe për veprimet e Milorad Dodikut, anëtarit serb të presidencës boshnjake, i cili tha se po “kërcënon me tërheqjen e Republikës Serbe në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore”. Këto veprime, zyrtarja e lartë britanike i quajti shqetësuese të cilat tha se do të çojnë në “ndarje de facto”, siç i ka cilësuar edhe Përfaqësuesi i lartë në BeH, Christian Schmidt.
“Nuk mund të lejojmë që kjo dredhi e rrezikshme të largojë vëmendjen nga dështimi për të përmirësuar standardet e jetesës së njerëzve në Bosnje dhe Hercegovinë”, deklaroi Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth Truss.
Ajo tha se Dodiku këto manovrime po i bën me mbështetjen e presidentit rus, Vladimir Putin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




