Ka ndodhur

Përmirësohet situata nga përmbytjet. Disa fshatra të izoluara në Korçë e Dibër nga dëbora. Probleme edhe në Gjirokastër (Foto-Video)

Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut që shkaktuar përmbytjje, situata në Fier dhe në Vlorë është normalizuar këtë të hënë. Nga Prefektura e Fierit mësohet se Lumi Vjosa është tërhequr dhe niveli i ujit po ulet. Në fshatrat Ferras dhe Levan të Fierit ka rënie të nivelit të prurjeve duke bërë që situata të qetësohet.

Megjithatë, sipërfaqe të tëra toke bujqësore ndodhen nën ujë, por edhe aty vihet re ulje e nivelit të ujit. Banesat e qytetarëve në Novoselë dhe në fshatra të tjerë kanë qenë të bllokuara, ndërsa sot uji është larguar por ka lënë pas baltë dhe inerte.

Banorët e këtyre zonave kanë fjetur tek të afërmit e tyre pasi u evakuuan nga banesat. Edhe aksi rrugor Levan-Mifol sot është i hapur për qarkullim ndryshe nga një ditë më parë ku ishte i pakalueshëm për automjetet e vogla.

Në shumë zona reshjet e shiut dhe të dëborës janë ndërprerë dhe tashmë situata është më e qetë. Autoriteti Rrugor Shqiptar në një njoftim në mediat sociale bën me dije se gjatë natës është punuar për shpërndarjen e kripës për të shmangur ngricat pasi temperaturat në zonat malore kanë qenë të ulëta dhe për zgjerimet anësore të rrugës.

Tashmë në të gjithë akset rrugore qarkullimi kryhet normalisht dhe nuk ka probleme. Moti i keq që ka pushtuar vendin ka lënë pa drita edhe disa fshatra në Gjirokastër.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në 3 ditët e fundit është zhvendosur shtyllën e tensionit të lartë, si rezultat linja 35Kv Gjirokastra 2-Grapsh  ndodhet jashtë funksioni.

Pa energji elektrike ndodhen banorët e zonave Zagori, Grapsh, Dropull i Poshtëm dhe Dropulli i Sipërm. Sakaq, si rezultat i rritjes së nivelit të ujit, në Poçëm është stakuar linja 35kV Ballsh-Poçem për efekt sigurie.

Pavarësisht nga ndërprerja e reshjeve të borës, vijojnë të mbeten të izoluar fshatrat Lekas në Voskopojë, Panariti në Vithkuq dhe 4 fshatra në njësinë Dardhas, pasi akset rurale për shkak të mungesës së infrastrukturës janë shumë të vështira për tu pastruar.

Si pasojë e temperaturave të ulëta në disa minus gradë, janë krijuar edhe akuj në rrugë, kështu segmenti Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Leskovik, Pogradec-Qafë Thanë, kanë nevojë për kriposje.

Në segmentin e Dardhës, mjetet e vogla janë urdhëruar të përdorin zinxhirë në gomat e mainave. Gjatë natës reshjet në qarkun e Korçës kanë qenë të pakta, por trashësia e dëborës ka shkuar nga 30 në 70 cm.

Në qarkun e Dibrës, mbeten të izoluara plotësisht Njësia Administrative Lurë dhe Selishtë, dhe disa fshatra të njësisë Sllovë, Kala e Dodës dhe Melan. Pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës problem mbeten ngricat.

Rruga e Arbrit, pjesa e Bypasit është lehtësisht e kalueshme. Borëpastruese kanë arritur që të heqin të gjithë dëborën, duke bërë që ajo të jetë lehtësisht e kalueshme edhe pa zinxhir.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë