Futboll

Video/ Vllaznia i bën presion kreut, sulmi shkodran nuk fal ndaj Skënderbeut

Vllaznia ka bërë detyrën në “Loro Boriçi”, ku ka mundur 2-0 Skënderbeun për javën e 13-të të Abissnet Superiores. Një fitore që e ngjit skuadrën shkodrane në kuotën e 23 pikë, aq sa ka edhe Kukësi i vendit të dytë, që ndeshet me Teutën nesër.

Tirana e vendit të parë ka 27 pikë, por titulli nuk është më çështje vetëm mes saj dhe Kukësit. Edhe Vllaznia mund të thuhet me bindje se është plotësisht në garë. Në 5 ndeshjet e fundit, të besuarit e trajnerit Tomas Bërdariç kanë 4 fitore dhe 1 barazim, duke e shkurtuar diferencën me kreun.

Vlen të theksohet se sulmi shkodran është në një formë mjaft të mirë. Ndaj Skënderbeut golat e fitores u shënuan nga Ardit Hoxhaj dhe Ante Aralica. Vllaznia kishte disa mungesa në këtë ndeshje, kapitenin Gurishta dhe mesfushorin Ardit Krymi.

Në ndeshjen tjetër të luajtur sot, Kastrioti i vendit të fundit mundi Egnatian rivale, 1-0. Java e 13-të vazhdon të hënën me ndeshjet Laçi-Tirana, Teuta-Kukësi dhe mbyllet me derbin e kryeqytetit Partizani-Dinamo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë