Rend dhe Ligj

Tërhiqet policia, testet e drogës në shtet. Por si fillim kalojnë nga privati

Pas investigimit 3 ditor të Gazetasi.al mbi testet antidrogë ndaj punonjësve të policisë që dyshohen si përdorues të drogës, Policia e Shtetit hedh një tjetër hap pas dhe futet në pozita reflektimi.

Kjo u njoftua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i cili iu tha gazetarëve se testet e kryera në një laborator privat që gjendet në Tiranë (për etikë nuk po i përmendim emrin), nuk janë përfundimtare.

Sikurse një ditë më parë Gazetasi.al, shtroi disa pyetje, jo vetëm mbi faktin se përse këto analiza kryheshin në një laborator privat, kur ka institucione shtetërore ku mund të kontrollohen policët, Nano garantoi policët që kanë dalë pozitivë nga ky test, se nuk do ketë një vendim ndaj tyre.

Standart i dyfishtë

Kjo deklaratë pranon përfundimet e dyfishta ndaj policëve të testuar deri më tani, që ka kaluar në 130 efektivë të kontrolluar, që janë kryesisht oficerë përtej moshës 50 vjeç dhe që shumë prej tyre rezultuan për paradoks si përdorues të lëndëve narkotike.

Veç kësaj, Gledis Nano nuk i dha përgjigje pyetjes tjetër, se përse analizat nuk kryhen në shtet, duke kujtuar se në përfundim për çdo test që është i dyshimtë dhe çdo rezultat që të marrë vlerën e provës (sikurse raportoi Gazetasi.al), do të kryhen pranë institucioneve shtetërore.

Por ende nuk ka një statistikë se sa është numri i policëve që kanë rezultuar pozitivë, shumica e të cilëve janë policë objektesh dhe përmbi 50 deri në 63 vjeç, si personazhet që zgjodhën të denoncojnë dhe të flasin për Gazetasi.al.

Jo zyrtarisht, shërbimi i çështjeve të brendshme në varësi të Ministrisë së Brendshme, llogarit se në të gjithë trupën e Policisë së Shtetit të jenë 160 deri në 200 efektivë, kryesisht deri në 30 vjeç që janë përdorues të lëndës kanabis sativa.

“Kemi indicie se këta janë përdorues të shërbimit patrullë dhe Shqiponja, por mbetet ende për t’u verifikuar, është vetëm një indicie”, – tha burimi zyrtar i Gazetasi.al, i cili del në këtë konkluzion edhe nga dëshmi anonime dhe të paverifikuara që tregojnë se si efektivë të ‘Shqiponjave’ në ndjekje të një grupi adoleshentësh që u dyshuan me drogë, në përfundim u kërkuan të rinjve që të përdornin edhe ata hashash.

Por

Por problemi nuk është statistika dhe sa mund të jetë real ky dyshim, i cili duhet provuar me analiza shtetërore urinë dhe gjak, por një detaj tjetër.

Efektivët e policisë të dyshuar si përdorues, duhet veç largimit njëherazi, edhe të hetohen për shpërdorim detyre apo edhe varësi nga krimet.

Burimet e Gazetasi.al, pranojnë se midis të dyshuarve ka ish-shefa policie që përdorin kokainë dhe që janë lëvizur në sektorë të tjerë që nuk kanë komunikim me qytetarët dhe publikun. Por me gjasë, ata nuk do të testohen, pasi kriteret për të cilat foli kryepolici shqiptar do të jenë mosha dhe risku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë