Moment i vështirë për mesfushorin holandez, i cili kaloi te Barcelona për 86 milionë euro. Frenki de Jong përfaqëson emblemën e eliminimit të bujshëm të katalanasve nga Championsi, pas humbjes ndaj Bajernit.
Paraqitja e dobët e de Jong ka bërë jehonë edhe në Holandë, ku janë shumë të shqetësuar për krizën e këtij futbollisti. Vlar dhe Kajt, dy ish-futbollistë të kombëtares holandeze, duke folur për “RTL”, nuk kanë lënë hapësirë për shumë interpretime, por e kanë thënë hapur mendimin e tyre, duke qenë mjaft kritikë.

“De Jong luan futboll, sikur ka një thes me 50 kilogramë patate në kurriz. Te kjo skuadër ai nuk duket fare. Mendoj se është totalisht jashtë në këtë moment, duhet të largohet nga Barcelona. Frenki mund të luajë një futboll tjetër për një skuadër si Bajerni. Nëse do të qëndrojë në Katalonjë, do të tërheqë karrocën për vite me radhë, pa qenë në nivele të larta. I ka cilësitë për të luajtur në një top-klub. Barcelona në këtë moment nuk është e tillë”, – u shpreh Vlar.
Kajt ishte pak më i butë: “De Jong ka ndryshuar gjithmonë vend te skuadrat ku ka luajtur dhe do të më pëlqente të shikoja në kushte, ku mund të shënojë. Në këtë kontekst taktik, nuk ka situata që ta bëjnë të gjuajë në portë. Do doja diçka ndryshe për të, është lojtar fantastik, ndër më të mirët në rolin e tij. Është mëkat që Frenki të marrë vendimin për të lënë Barcelonën. Nuk ka dyshim që mund të luajë shumë mirë te Bajerni apo Mançester Siti”.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë vetë de Jong, i gjendur në vështirësi, do të vazhdojë te Barcelona, apo do të kërkojë diçka tjetër për të ardhmen? Me shumë mundësi, ai do të jetë njeriu i merkatos së ardhshme, pasi profili i tij është mjaft i kërkuar. Për arkat e Barcelonës, shitja e një lojtari të tillë do të bëhej me ndërgjegje të plotë, sepse klubi do të përfitonte ekonomimisht, ndërsa de Jong do të shpëtonte teknikisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




