Pasi mundi 5-0 Dinamon disa ditë më parë, Laçi ka mundur edhe Kukësin sot në “Air Albania”, me rezultatin 2-1. Skuadra e drejtuar nga trajneri Mirel Josa ka marrë superxhiro dhe nuk di të ndalet. Kurbinasit në këto javë të fundit janë mundur vetëm nga Vllaznia, ndërkohë që kanë barazuar me Partizanin dhe kanë mundur Teutën, Dinamon dhe së fundi Kukësin.
Dy gola të shpejtë të shënuar nga afrikani Guindo kanë tronditur Kukësin, që më pas e ka pasur të vështirë të reagojë në terrenin e rënduar nga shiu, por ka qenë edhe pa fat, sepse në minutën e fundit shpërdoroi një penallti. Ardit Hila goditi traversën nga pika e bardhë. Më parë Basha kishte shkurtuar diferencën e golave për Kukësin.
Pas kësaj ndeshjeje nuk kanë festuar vetëm laçianët, por edhe Tirana, pasi është frenuar rivali i saj direkt, Kukësi, që mbetet 23 pikë, ndaj 27 të bardhebluve. Laçi ngjitet në vend të katërt, me 18 pikë, dhe me formën që po kalon, duket shumë e vështirë që ta ndalin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




