Futboll

Drejt shortit në Champions, shanset thonë Inter-Mançester J. dhe Juventus-Atletiko

Në pritje të plotësimit të 16-shes së skuadrave të kualifikuara për në 1/8-at e Ligës së Kampionëve, me ndeshjen Atalanta-Vilarreal, nisin të bëhen edhe llogaritë e përplasjeve të mundshme në short, duke u bazuar te rregullat (për shembull, dy skuadra të të njëjtit vend nuk mund të ndeshen, ashtu si dy skuadra që ishin në të njëjtin grup).

Me një përqindje të përafërt mund të krijohet një ide në lidhje me sfidat e ardhshme. Për skuadrat italiane janë dy skenarët, me dhe pa Atalantën në 1/8-at. Nëse Gjimshiti me shokë eliminohen nga spanjollët, Juventusi ka të njëjta shanse për t’u ndeshur me një mes Vilarrealit dhe Atletiko Madridit (18,71%).

Foto ilustruese. Gati për shtorin e Championsit. Gazeta Si, 9 dhjetor 2021

Më pas vjen rreziku i madh PSG (17,81%), i ndjekur nga Salcburgu (15,08%), Benfika (14,82%) dhe Sportingu (14,82%). Kualifikimi i Atalantës do ta bënte më të keq shortin për Juventusin, sepse shanset për të luajtur me Atletikon do të ishin 22,23% dhe me PSG 22,04%.

Për Interin, rreziku më i mundshëm është të përballet me një skuadër angleze. Me Atalantën ende në garë, kalkulimet thonë Mançester Junajtid 19,2%, për të vazhduar me Liverpulin 18,64% dhe Mançester Sitin 18,5%. Pastaj vjen Lila me 15,98%, kurse Ajaksi dhe Bajern janë më pak të mundshme, 13,84%. Nuk ndryshojnë shumë gjërat, nëse kualifikohet Vilarreali.

Po të kalojë Atalanta sot në mbrëmje, edhe për Gjimshitin rreziku vjen nga Premier Liga: Liverpuli 19,34% dhe Mançester Siti 19,33%, pastaj Real Madridi 16,89%, Lila 16,28%, Bajerni 14,08% dhe Ajaksi 14,08%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë