Trashëgimi

Marrëveshja me SHBA, Margariti: Do luftojmë trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka prezantuar sot në Kuvend marrëveshjen me qeverinë amerikane për trashëgiminë kulturore.

Ajo u shpreh se ky memorandum i hap rrugë bashkëpunimit mes ShBA-ve dhe Shqipërisë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore në vendin tonë dhe sipas saj synimi është që të luftohet trafikimi i objekteve të trashëgimisë kulturore.

Nga foltorja e kuvendit, Margariti ndër të tjera tha se ratifikimi i këtij memorandumi është një mbështetje jo vetëm për Ministrinë e Kulturës, por për të gjithë trashëgiminë kulturore shqiptare, ndërsa shtoi se po ashtu do të bëhet e mundur që objektet e konfiskuara në ShBA, të kthehen në Shqipëri.

“Mbi bazën e këtij memorandumi, Shtete e Bashkuara të Amerikës do të angazhohen së bashku me ne të luftojmë trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, ta mbrojmë trashëgiminë. Do të kufizojnë importimin e kategorive të caktuara të materialit arkeologjik dhe etnologjik. Nga ShBA do të shpallet dhe një listë së bashku me Republikën e Shqipërisë ku do të shihet nëse eksportimi ka qenë i paligjshëm. Objektet e konfiskuara në ShBA do të kthehen në Shqipëri si dhe nga ana tjetër Shqipëria do të ndajë informacione të çmuara rreth gërmimeve të autorizuara në këto vite si dhe vjedhjen dhe trafikimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore. Kjo marrëveshje na siguron një mbështetje nga ShBA në aspektin teknik, për të ndarë eksperiencat në këtë fushë, por dhe shkëmbimin e materialeve arkeologjike dhe etnologjike. Ratifikimi i këtij memorandumi është një mbështetje jo vetëm për Ministrinë e Kulturës por për të gjithë trashëgiminë kulturore shqiptare”, tha ministrja Margariti.

Fjala e ministres Margariti nuk ka kaluar pa debate nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët u shprehën pro nismës me SHBA për materialet arkeologjike, por i mëshojnë fort faktit se në Shqipëri po bëhet pak sa i përket trashëgimisë kulturore.

Sipas deputetëve të PD, Ina Zhupa dhe Luciano Boçi, arkeologët në Shqipëri janë në vështirësi nga mungesa e buxhetit dhe gërmimet më të mëdha në vendin tonë bëhen nga të huajt.

Ndërkohë, ministrja Margariti është shprehur se “nëse do shihnim objektet arkeologjike, kemi miratuar në 2021 mbi 30 projekte shkencore dhe po i mbështesim si me fondet e Shqipërisë dhe ato të huaja. Ne kemi pasur në sitet e trashëgimisë kulturore mbi 1 milion vizitorë, ky është një rekord”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë