Një gol i Liridon Latifit në pjesën e parë të ndeshjes me Partizanin i ka dhënë fitoren Vllaznisë në “Loro Boriçi”. Ishte një ndeshje shumë e zjarrtë, ashtu siç pritej. Në fund kanë festuar shkodranët 1-0, duke iu afruar Kukësit të vendit të dytë.
Njeriu i momentit te Vllaznia është Liridon Latifi. Sulmuesi kosovar ishte vendimtar ashtu si në ndeshjen me Teutën pak ditë më parë, por nese ndaj durrsakëve goli i tij pati vlerën e një pike, ky ndaj Partizanit i dha skuadrës 3 pikë. Përveç golit, shkodranët goditën edhe shtyllën me kapitenin Gurishta.
Vllaznia edhe këtë herë e ka mbyllur ndeshjen me 10 lojtarë. Për më shumë se 25 minuta skuadra e trajnerit Bërdariç ishte në inferioritet numerik, sepse Ardit Krymi u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të parregullt si lojtari i fundit. Në ndeshjen e mëparshme me Teutën ishte sulmuesi Aralica ai që e la skuadrën me 10 vetë.
Në ndeshjen tjetër të zhvilluar sot, Skënderbeu mundi 2-0 Egnatian në Korçë, duke e parakaluar atë në klasifikim. Trajneri i ri i Egnatias, Ramadani, ka debutuar me humbje. Java e 12-të e Superiores mbyllet nesër me sfidën Kukësi-Laçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




