Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se nga e enjtja, 9 dhjetor, do të fillohet me administrimin e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19.
Sipas MSH-së, doza përforcuese do t’u jepet njerëzve të cilët i kanë marrë dy doza paraprakisht, por me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë.
Doza e tretë do t’u jepet personave që s’kanë zhvilluar imunitet të duhur pas marrjes së dy dozave, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese, me rekomandim të mjekut. Ajo do jepet jo më herët se tetë javë dhe pa i bërë gjashtë muaj nga marrja e dozës së dytë.
Dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare.
MSH-ja ka thënë se qytetarët do të njoftohen për datat e vaksinimit përmes SMS-eve, emailit dhe njoftimeve publike.
“Duke konsideruar që vaksinimi është mënyra më efektive për të kufizuar dhe ndërprerë përhapjen e virusit dhe për të arritur mbrojtjen e popullatës, Ministria e Shëndetësisë u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë qendrat dhe ekipet mobile të vaksinimit kudo në Kosovë për t’u vaksinuar sa më parë kundër COVID-19”, thuhet në apelin e MSH-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




