“Unë pagova 20 mijë lekë, jam 58 vjeç dhe kam një jetë në polici”. Kështu e nis rrëfimin e tij për Gazetasi.al, një nga policët që iu nënshtrua testit të drogës. Por polici që nuk pi as duhan dhe as alkool, nuk është i shqetësuar për paratë që shpenzoi për një analizë që eprorët e urdhëruan ta kryejë. Por për rezultatin.
“Jam i shokuar, jam i terrorizuar, kam dalë përdorues droge, kurrë në jetë s’kam pirë drogë. Nëse këta kërkojnë rezultate apo justifikime meqë lidhën kontratë dhe duan të bëjnë bujë se po pastrojnë policinë nga drogaxhinjtë, mirë bëjnë, por jo me dinjitetin tim dhe fatin tim”, – thotë punonjësi i policisë në anonimitet të plotë (emrin e tij Gazetasi.al e disponon, por do ta publikojë në një moment tjetër).
Pyetjes se si i bëri analizat, ai i përgjigjet: “Na mori eprori në telefon, më tha nesër në mëngjes tek ‘X’ laborator do bëhen analizat, na njoftoi grupin që ishim në detyrë. Mirë thashë, për të hequr e kisha. Shkuam, aty ishte rrëmujë. Më dhanë një epruvetë, askush nuk më monitoroi, as më ndoqi as më vëzhgoi. Ishte për urinën. U ktheva ua dhashë”, – tregon polici.
Rrëfimi i policit dhe zhgënjimi
Ai i thotë Gazetasi.al, se disa orë më vonë u telefonua nga shefi: “Ke dalë pozitiv më tha, s’di ç’ka ndodhur, s’di çfarë të të them, por ke dalë përdorues’”.
Për policin në prag pensioni, kjo është një vrasje për profesionin e tij. “Këta tallen me jetë njerëzish, kam qenë polic kur shteti ra në vitin 1997, kur u arrestua Nehat Kulla e ca të fortë të tjerë. Turp t’ju vijë që bëjnë ‘show’ dhe tallen me policët e tyre kështu. Ata e dinë mirë se kush përdor drogë, duke nisur nga kokainomanë që janë ca shefa, e deri te agjentë krimesh”.
Po përse duhet besuar versioni i tij? Mos më besoni për moshën, as ngaqë jam gjysh, as ngaqë kam mbi 25 vjet në polici. Nuk përdor drogë dhe denoncoj që rezultati është fiktiv. Ose kanë ngatërruar etiketën ose kanë bërë diçka që e dinë vetëm ata”, – këmbëngul efektivi.
Kërkesa e tij dhe kundërshtimet e disa të tjerëve, janë bërë shkak që ndryshe nga çfarë thuhet publikisht nga selia qendrore e policisë, që shpërndahet si arritje, në të vërtetë këto rezultate do konfirmohen përmes mjekësisë ligjore në analizat e tjera gjak dhe urinë.
Skandali
Edhe pse testi i drogës është marrë me rezerva nga policët, skema e procesit të testimit të tyre ka një faturë financiare që duhet marrë në konsideratë.
“Çdo polic nxjerr nga xhepi 20 mijë lekë të vjetra për këtë analizë. Fatura i jepet atij në dorë dhe askush nuk është në gjendje të thotë se mbi ç’kritere u zgjodh kompania për të analizuar 11 mijë policë. Ky është një proces i rëndësishëm që ka një faturë financiare dhe nuk zbatohet me preferencë, nëse merret në konsideratë se sa shkon fitimi në përmbyllje. Është miliona lekë pa llogaritur edhe besueshmërinë, kush kontrollon kë, sa e besueshme është, si lihet karriera e një polici, supozojmë kundër krimit të organizuar në duar të tilla”, – ngre pikëpyetje një zyrtar për Gazetasi.al.
Por “përse u shmang mjekësia ligjore”, – ngre dyshimet një tjetër ekspert pranë Gazetasi.al, i cili njëlloj si punonjësi i policisë e denoncon si aferë korruptive.
Xh, (inicial i ndryshuar), thotë i prerë për Gazetasi.al. “Jam tek të 60-at, unë drogë? Pfff, kjo është e shëmtuar. Pasi të marr analizat tek mjekësia ligjore, do t’i hedh në gjyq, nga i pari tek i fundit. Janë tërhequr, as më kanë pezulluar, asgjë. Por në rajon bëjnë shaka me mua dhe më të rinjtë më thanë: ‘Plako, paske bërë pompa’. Ndihem i turpëruar, por ta harrojnë, nuk e vras veten”, – shfryn polici tjetër.
Edhe ai tregon faturën dhe pyet: “Po mirë, nëse do isha përdorues, mendon që do shkoja me këmbët e mia? Asnjëherë. Ta nisin nga shefat njëherë”, – akuzon ai.
Ndërkohë, javën e ardhshme do të jetë edhe konferenca e prezantimit të rezultateve për testin e drogës të uniformave blu, që ka nisur prej një jave pranë komisariateve në të gjithë vendin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.