Drejtësia

Vrau gruan dhe kunatën në sy të fëmijëve, Apeli lë në burg përjetë për Gazmend Mustën

Gjykata e Apelit në Vlorë, lë në fuqi dënimin me burg për jetë për Gazmend Mustën, i cili pasditen e 2 janarit 2019 vrau në sy të fëmijëve bashkëshorten e tij, Gentjana Çaushaj dhe të motrën e kësaj të fundit, Milisa, 18 vjeçe.

Ngjarja ndodhi në Ballsh para rreth 3 vjetësh, ku 34-vjeçari i ka qëlluar me thikë buke disa herë dy gratë në dhomën e ndjenjes dhe pas krimit ka marrë fëmijët dhe është dorëzuar në polici.

I dënuari për krimin e dyfishtë brenda familjes ka shfaqur pendesë në gjyq dhe ka shprehur shqetësim për dy fëmijët e tij të mitur 3 dhe 7 vjeç.

Krimi i 2 janarit në banesën e familjes Musta në katin e pestë të një pallati në lagjen “5 Shkurti” në Ballsh, është paraprirë nga një debat i fortë mes bashkëshortëve.

I akuzuari Musta ka qenë kundër kërkesës së bashkëshortes së tij për të shkuar tek prindërit e saj në fshatin Drizar të Mallakastrës.

Pasi kanë debatuar ashpër, rreth orës 16:30 ai ka marrë thikën e kuzhinës dhe ka qëlluar bashkëshorten  Gentiana Çaushaj e më pas edhe kunatën 18 vjeçe, Milisa Çaushaj, duke u shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Në të njëjtën kohë në banesë kanë qenë edhe fëmijët e mitur të çiftit. 34-vjeçari, gjatë seancave gjyqësore ka pretenduar se ishte ofenduar nga bashkëshortja dhe se nuk kishte duruar më.

Nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultonte se Gentjana Çaushaj, bashkëshortja e autorit, kishte gjetur vdekjen pasi ka marrë 12 plagë në pjesën e sipërme të trupit, ndërsa në trupin e 18 vjeçares Milisa Çaushaj janë gjetur 19 plagë, në gjoks, krahë dhe kofshë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë