Futboll

Polemika në Gjermani. Si mund ta gjykojë Borusia-Bajern një arbitër që ka trukuar!

Edhe pse është vetëm 18 vjeç, Xhud Belingham bën të flitet për të për atë që jep në fushë dhe jashtë saj. Pas humbjes 2-3 që Borusia Dortmund pësoi ndaj Bajernit, duke mbetur 4 pikë pas kreut, lojtari anglez ka marrë vëmendjen mediatike për një rekord që regjistroi në këtë ndeshje, por edhe për polemikat ndaj arbitrit Feliks Zvajer, që sipas tij, u dha një penallti shumë bujare bavarezëve, duke vendosur ndeshjen, ndoshta edhe kampionatin.

Në 2005-ën, kur Belingham ishte vetëm 2 vjeç, Zvajer ishte një nga dëshmitarët kyç kundër Robert Hojzer, arbitrit (më pas u dënua) që kishte manipuluar disa ndeshje. Në atë kohë Zvajer u pezullua për 6 muaj, sepse kishte pranuar 300 euro nga kolegu i tij.

Belingam ne dyluftim me Myler gjate ndeshjes Borusia-Bajern, 2-3. Gazeta Si, 5 dhjetor 2021

Në atë kohë Zvajer u dënua, sepse jo vetëm nuk e denoncoi arbitrin Hojzer, por edhe e ndihmoi atë në rolin e anësorit të favorizonte Vupertaler SV në një ndeshje ndaj skuadrës së dytë të Verder Bremenit. Sapo përfundoi dënimin, Zvajer u bë arbitër ndërkombëtar, pasi për mediet dhe deferatën, ai ishte rehabilituar. Me sa duket, jo në sytë e të gjithëve.

Pas ndeshjes Borusia-Bajern, Belingham drejtoi gishtin ndaj tij: “Për mua nuk ëhstë një penallti, por janë edhe shumë vendime të tjera gjatë ndeshjes shumë të diskutueshme. Por çfarë mund të presësh, nëse i jep sfidën më të rëndësishme të Bundesligës një arbitri, që në të kaluarën ka manipuluar disa ndeshje?”

Edhe sulmuesi i Borusias, Haland, ishte në këtë linjë: “Arbitrimi ishte skandaloz, Zvajer ishte shumë arrogant dhe nuk dua të flas më shumë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë