Futboll

Shuhet Horst Eckel, heroi i fundit gjerman i ‘Mrekullisë së Bernës’

Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, Horst Eckel, një nga heronjtë e Gjermanisë Perëndimore, që mundi në mënyrë surprizë Hungarinë favorite në finalen e Botërorit të 1954-ës në Zvicër. Ai ishte kampioni i fundit i gjallë i kombëtares protagoniste të “Mrekullisë së Bernës”.

Lajmi është bërë i ditur nga Federata Gjermane e Futbollit. Në atë finale, lojtari anësor ishte më i riu në moshë për gjermanët në fushë. Përveç Fritz Walter, Horst Eckel ishte i vetmi në ekipin e trajnerit Sepp Herberger që i luajti të gjashta ndeshjet e Kupës së Botës në Zvicër.

Horst Eckel. Gazeta Si, 3 dhjetor 2021

Trajneri i kishte ngarkuar Eckelit një detyrë speciale në atë finale, të nxirrte jashtë loje regjisorin hungarez Nandor Hidegkuti. Eckel ka luajtur 32 ndeshje ndërkombëtare me Gjermaninë Perëndimore. Në nivel klubesh, ai ka qenë pjesë e Kaiserslauternit, me të cilin ka shënuar 64 gola në 213 ndeshje. Në vitet 1951 dhe 1953 u shpall kampion me këtë skuadër.

Pas fundit të karrierës, Eckel ka bërë punë vullnetare në shumë qendra sociale. Ai ka mbështetur, mes të tjerash, Fondacionin Sepp Herberger të Federatës Gjermane. Në tetor të 2017-ës themeloi Fondacionin Horst Eckel, bashkë me të bijën Dagmar, për të mbështetur projekte edukuese në lidhje me sportin dhe aktivitetin e personave të moshuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë