Futboll

Berisha dhe Strakosha ngrohin stolin, Hysaj ka besimin e plotë të Sarrit

Dy portierët e Kombëtares, Erit Berisha dhe Tomas Strakosha, vazhdojnë të ngrohin stoli te klubet e tyre. Edhe pse ndeshjet janë më të ngjeshura në këtë periudhë, ata sërish nuk kanë gjetur hapësirë.

Berisha dhe Strakosha ne stervitje me Kombetaren. Gazeta Si, 2 dhjetor 2021

Berisha nuk preferohet nga trajneri Juriç si titullar. Ai ishte spektator edhe në ndeshjen e sotme ndaj Empolit, ku Torino barazoi 2-2. Nga lojtarët shqiptarë në këtë ndeshje u aktivizua vetëm Bajrami pak minuta pas nisjes së pjesës së dytë. Ismajli dhe Asllani, dy lojtarët e tjetër kuqezi të Empolit, qëndruan gjithë kohën në stol.

Edhe Tomas Strakosha nuk po arrin të luajë titullar në kampionat me Lacion, edhe pse Reina po “zhdëpet” me gola dhe për të ka pasur jo pak kritika. Edhe sot Lacio pësoi 4 gola në “Olimpico” nga Udineze, në një ndeshje rokamboleske, që përfundoi me rezultatin 4-4. Lacio udhëhiqte 4-3 deri në minutën e 99-të, kur u barazua dhe humbi 2 pikë .

Hysaj me fanellen e Lacios. Gazeta Si, 2 dhjetor 2021

Elseid Hysaj ishte në fushë nga minuta e parë. Mbrojtësi kuqezi ka besimin e trajnerit Mauricio Sarri, i cili po e aktivizon në krahun e majtë. Hysaj është nga të paktët lojtarë shqiptarë të Serisë A që po luan rregullisht për momentin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë