Futboll

Eriksen kthehet në stërvitje 173 ditë pas atakut kardiak që pësoi në Euro 2020

Një seancë kardio-vaskulare dhe gjuajtje drejt portës. Kjo është hera e parë që Kristian Eriksen stërvitet pas atakut kardiak që pësoi gjatë Euro 2020 dhe vendosjes së impiantit defibrilator.

Thuajse 6 muaj, saktësisht 173 ditë pas asaj ndeshjeje Danimarkë-Finlandë, që frikësoi gjithë botën, Kristian Eriksen është kthyer në fushë. Mesfushori i Interit ka zhvilluar një seancë kardio-vaskulare dhe ka bërë ushtrime me gjuajtje drejt portës. Ai është stërvitur në Adalen, ku banon me familjen që prej verës së kaluar, në qendrën stërvitore të Odenses.

Kristian Eriksen me fanellen e Ajaksit. Gazeta Si, 2 dhjetor 2021

“Jemi vërtet të lumtur që Kristian po gjen formën sportive në fushat tona. Kemi qenë në kontakt me të, sepse këtu është rritur, ndaj dhe jemi gëzuar kur na kërkoi nëse mund të stërvitej për të rigjetur formën”, – ka thënë Mikael Hemingsen, drejtori sportiv i Odenses, për “BT.dk”.

Pasi fitoi betejën me jetën, 29-vjeçari konfirmon edhe vullnetin për t’u kthyer të luajë, kuptohet, në kohën e duhur, sipas udhëzimeve të mjekëve. Nëse do të bëjë këtë gjë tek Interi (me një impiant defibrilator në fakt e ka të ndaluar nga federata), apo diku tjetër, kjo pak rëndësi ka. Rëndësi ka që Eriksen ta vazhdojë ëndrrën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë