Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka dënuar me nga 1 vit burg shtetasit Denis Xholi dhe Albjon Ceku, për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Ata u kapën më 21 prill me fletë votimi dhe lekë në Dibër katër ditë para zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën në pranverë.
Togat e zeza i kanë dënuar dy të rinjtë me 18 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ata janë dënuar me 1 vit heqje lirie.
SPAK njofton zyrtarisht se pas analizimit të të dhënave dhe provave, kanë rezultuar se Xholi dhe Çeku në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë shpërndarë në njësinë administrative Maqellarë shuma monetare tek persona të tjerë, me qëllim përcaktimin e mënyrës së votimit nga qytetarët, në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
Në bazë të hetimit ka rezultuar se Denis Xholi, i cili ka ushtruar funksionin e përgjegjësit të zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, gjatë orarit të punës është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore.
Denis Xholi dhe Abjon Çeku u ndaluan duke lëvizur me makinë në zonën e Maqellarës nga simpatizantë të opozitës më 2 prill, të cilët më pas lajmëruan policinë.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin të dy, u gjet një sasi prej rreth 5 milionë lekë, fletë të ngjashme me ato të votimit dhe fletë palosje të një subjekti politik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




