Njësia antikorrupsion e ngritur nga Ministria e Drejtësisë thotë se ka identifikuar disa raste korrupsioni flagrante në zyrën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në qytetin e Durrësit, ku më i bujshmi është një rast, ku qytetari ka marrë lejen e legalizimit dhe më pas ka plotësuar dosjen për marrjen e kësaj lejeje.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja doli në raportimin periodik të punës së kësaj njësie. Ai tha se shkeljet janë aq flagrante, sa në një rast Kadastra i ka dhënë lejen e legalizimit një shtetasi dhe më pas ka bërë procedurat për marrjen e kësaj lejeje.
“Në Kadastrën e Durrësit ka raste që po trajtohen. Dy rastet e para kanë të bëjnë me leje legalizimi në kundërshtimi me ligjin, ku nuk respektohen procedurat e kërkuara prej ligjit. Rasti i tretë është edhe më flagrant. Këtu është printuar leja e legalizimit dhe i është dhënë qytetarit dhe më pas janë bërë procedurat ligjore”, tha Manja.
Problematika janë denoncuar edhe për zyrën e Kadastrës në Vorë. Këtu, sipas ministrit të Drejtësisë është dhënë leje ndërtimi në rrugën që të çon në aeroport në kundërshtim flagrant me ligjin.
Manja tha se bashkitë, kryesisht ato bregdetare po shfrytëzojnë hapësirat ligjore të rifreskimit të planeve zhvillimore për të abuzuar me dhënien e lejeve të ndërtimit.
"Jemi duke trajtuar disa raste abuzime të rifreskimit të lejeve zhvillimore në bashkitë bregdetare dhe nëse do konstatojmë shkelje të ligjit për planifikimin e territorit nuk do hezitojmë të kallëzojmë penalisht personat përgjegjës. Bashkitë duhet të ndërpresin menjëherë dhe të mos zgjasin lejet e ndërtimit të dhëna shumë kohë më parë dhe që nuk janë përmbushur brenda afateve të përcaktuara”, tha ai.
Manja denoncoi edhe një rast nga gjykata, që sipas tij, ka marrë kompetencat e një kryetari bashkie duke rivendosur brenda afateve për marrjen e lejeve të ndërtimit të një dosje të 2005.
“Rivendosja në afat e lejeve të ndërtimit të skaduara është e papranueshme. Një gjykatë nuk mundet të japë leje ndërtimi, apo të shtyjë vlefshmërinë e saj, sepse merr atribute të një organi tjetër siç janë kryetarët e bashkive, apo Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit. E paimagjinueshme që në vitin 2021 Gjykata merr përsipër të zgjasë apo ripërtërijë një leje ndërtimi të dhënë nga bashkia në vitin 2005, kur rregullat kanë ndryshuar”, u shpreh ai.
Në lidhje me këtë rast, Manja u shpreh se do ta ngrejë si shqetësim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Rasti tjetër ka të bëjë me doganën e Korçës. Një nëpunës është bërë pjesë përmes dokumenteve shkollore të falsifikuara. Përveç doganierit ne kemi denoncuar edhe noterin, për të cilin kemi kërkuar edhe hetimin disiplinor. Rasti i fundit ka të bëjë me drejtorinë er DSHTRR, që ka të bëjë me ryshfetin direkt në sportel", tha Manja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.