Jo vetëm bilancet e falsifikuara, hetimi “Prisma” që ka përfshirë Juventusin, zgjerohet edhe me agjentët e futbollistëve. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, hetuesit po punojnë edhe për atë çfarë kanë bërë disa agjentë të përfshirë në ndërmjetësimin e disa transferimeve.
Në një komunikatë të Prokurorisë bëhet me dije se ka mandate pagesash fiktive për disa operacione futbollistësh. Nga përgjimet e kryera del se disa agjentë janë paguar për transferime lojtarësh inegzistente dhe që Juventusi ka vepruar me ndërmjetësues apo agjentë “të besuar”.

Mes këtyre agjentëve spikasin emrat e Horge Mendesit dhe Mino Raiolës, dy nga më të njohurit në tregun europian. I përfshirë në këtë çështje është edhe Kristiano Ronaldo, emri i të cilit del në dokumentet e “Guardia di Finanza”.
Raiola del në skenë për transferimin e De Ligt, për të cilin ai ka fituar 10.5 milionë dhe që tashmë ka përfunduar në lentën e hetimit. Po ashtu, emri i agjentit del edhe në transferimin e Franko Tongia, i përfshirë në një operacion shkëmbimi me Olimpikun e Marsejës, që Prokuroria e konsideron shumë të dyshimtë.
Klubi i Juventusit ka bërë me dije së fundi se është duke u përpjekur për qartësimin e çështjes, që tashmë po merr përmasa gjithmonë e më të mëdha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




