Futboll

Napoli i pamëshirshëm ndaj Hysajt dhe Sarrit, shkëputet i vetëm në krye

Java e 14-të e Serisë A ishte e veçantë për Elseid Hysajn, që luante në fushën e Napolit si kundërshtar. Në stadiumin ku ka kaluar 6 sezone, mbrojtësi kuqezi e nisi ndeshjen si titullar në krahun e majtë të mbrojtjes.

Lacio, e drejtuar nga ish-trajneri i Napolit, Mauricio Sarri, u mund thellë, 4-0. Ishte një ndeshje e dominuar totalisht nga Napoli, që realizoi 3 herë në pjesën e parë me Zielinskin dhe Mertens. Në pjesën e dytë vulosi rezultatin Fabian Ruiz.

Napoli feston një gol të Mertens. Gazeta Si, 29 nëntor 2021

Hysaj bëri një paraqitje mesatare në këtë ndeshje, ku pjesa më e madhe e lojtarëve zhgënjyen totalisht. Portieri Tomas Strakosha qëndroi gjithë kohën në stol.

Pas kësaj fitoreje, Napoli është shkëputur në krye të renditjes me 35 pikë, duke përfituar nga humbja në shtëpi e Milanit ndaj Sasuolos. Ishte humbja e dytë radhazi për kuqezinjtë e Piolit, që tashmë rrezikojnë edhe vendin e dytë, pasi Interi është afruar me një pikë diferencë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë