Ekonomi

Moody’s rrit parashikimin për ekonominë e Shqipërisë. Rrezik të pavaksinuarit, sundimi i ligjit i dobët

Në raportin e fundit të kreditit nga Moody’s për Shqipërinë, është rritur projeksioni për ekonominë shqiptare në 7.6% nga 4.8% që ishte në qershor. Për 2022-shin, Agjencia parashikon një rritje prej 4.2% të ekonomisë dhe 3.5% në vitin 2023.

Raporti cakton si rrezik normën e ulët të vaksinimit dhe rënien e sektorit turistik si pasojë e pandemisë.

“Pjesa e popullsisë, totalisht e vaksinuar ishte vetëm 33%, deri më 21 nëntor, që është edhe norma e dytë më e ulët mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndjeshëm nën nivelet e vendeve europiane, ku kjo normë është pranë 67%”,-thuhet në raport.

Moody’s parashikon dhe një rritje të lehtë të çmimeve të konsumit, me 2.9% deri në fund të vitit. Por në 2022-shin kjo shifër do të reduktohet në 2.5%

Për borxhin publik, Moody’s parashikon normën prej 77% këtë vit ndaj PBB-së dhe me një rënie të papërfillshme vitin tjetër, 0.6%

Vlerësimi i Agjencisë, për Shqipërinë mbetet në niveli B1, me perspektivë të qëndrueshme.

Për notën mbi qeverisjen, vlerësuar si negative e moderuar, agjencia nënvizon se sundimi i ligjit dhe kontrolli i korrupsionit mbeten të dobëta. Nota e vlerësimit për të tre këta faktorë mbetet e pandryshuar krahasuar me raportin e muajit qershor.

“Profili i kreditit të Shqipërisë balancon progresin e reformave në përpjekje për t`u bërë pjesë e Bashkimit Europian, kundrejt sfidave strukturore ekonomike të vazhdueshme, si dhe forcës institucionale të kufizuar karshi vendeve të ngjashme me të. Duke qenë një ekonomi e vogël dhe ngushtësisht e diversifikuar, profili i kreditit të Shqipërisë është i ekspozuar ndaj tronditjeve nga jashtë”- shkruhet në raport.

Raporti përcakton 3 sfida për Shqipërinë ekonomia e vogël me nivele të ulta të ardhurash dhe diversifikimi, borxhi i lartë publik dhe rreziqet fiskale si pasojë e detyrimeve të prapambetura, forca e kufizuar institucionale, sidomos në drejtim të korrupsionit. Sa i përket rreziqeve të sektorit bankar dhe të likuiditetit të qeverisë, gjigandi i vlerësimit të kreditit thotë se, janë të përmbajtura.

Pikat e forta cilësohen reformat institucionale dhe progresi në reformat strukturore.

Agjencia paralajmëron se politikat fiskale të pakujdesshme dhe rritja e dobët e ekonomisë mund të ulën më tepër notën.

Duke filluar prej muajit shkurt të këtij viti, agjencia po përdor disa “mjete” të tjera të vlerësimit të kreditit, faktorët ESG, faktorët ambiental, social dhe të qeverisjes. Të tre këta faktorë marrin nga një vlerësim, dhe duket se goditjen më të madhe notës së borxhit, Shqipërisë ja jep faktori social. “Ekspozimi ndaj rreziqeve sociale është i lartë dhe lidhet kryesisht me cilësinë e shërbimeve bazike, faktorët demografik jo të favorshëm, emigrimin e lartë, si dhe popullsinë në plakje, që do të peshojë në terma afat-gjatë. Edhe shëndeti, të ardhurat, arsimi, apo puna vlerësohen si burim rreziku për profilin e borxhit të Shqipërisë, paçka se në një nivel më të moderuar”, nënvizon agjencia.

Rritja e parashikimit të Moody’s për ekonominë e Shqipërisë,  është në linjë me parashikimet më të fundit të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim apo Komisionit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë